Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar do të shqyrtojë më 10 mars 2027 apelin e paraqitur nga Shqipëria dhe Sekretarja e Shtetit për Punët e Brendshme, Shabana Mahmood, lidhur me ekstradimin e pesë personave të dyshuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.
Lajmi është konfirmuar për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, nga një zëdhënës i gjykatës, i cili bëri të ditur se për shqyrtimin e çështjes është rezervuar një ditë e plotë gjyqësore. Në seancë do të jenë të përfaqësuar shteti shqiptar, përmes një prokurori anglez të Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës (CPS), si dhe avokatët e pesë personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Në këtë proces përfshihen Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman, Harry Simpson dhe Steven Hunt, të cilët janë shpallur në kërkim nga Prokuroria e Lezhës për dyshime mbi përfshirjen në planin që çoi në vrasjen e Nikulajt.
Biznesmeni u vra në Shqipëri nga Ruben Saraiva, i cili u shpall fajtor për krimin dhe u dënua me burgim të përjetshëm.
Përplasja ligjore që çoi çështjen në Gjykatën Supreme
Në qendër të shqyrtimit në gjykatën më të lartë britanike do të jetë interpretimi i nenit 93 të Ligjit për Ekstradimin të vitit 2003, konkretisht nëse Sekretari i Shtetit duhet të përcaktojë saktësisht veprën penale për të cilën kërkohet ekstradimi, kur nxjerr urdhrin përkatës.
Fillimisht, kërkesat e Shqipërisë për ekstradimin e pesë personave bazoheshin në akuzat për “Vrasje për shkak të gjakmarrjes”, sipas nenit 78/a të Kodit Penal, dhe për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”, sipas nenit 278/1, në lidhje me nenin 25 për bashkëpunimin në kryerjen e veprës penale.
Gjatë procedurave gjyqësore në Angli, kërkesat u ndryshuan dhe ekstradimi u kërkua për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, të parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal shqiptar, në lidhje me nenin 25.
Pas shqyrtimit të çështjeve, gjyqtari i Gjykatës së Magjistraturës në Westminster ia kaloi vendimmarrjen Sekretarit të Shtetit, i cili më pas urdhëroi ekstradimin e pesë personave drejt Shqipërisë.
Megjithatë, Gjykata e Lartë britanike pranoi ankimimet dhe kërkesat për shqyrtim gjyqësor, duke konstatuar mospërputhje mes veprave penale të përmendura në kërkesat fillestare dhe atyre mbi të cilat u mbështetën urdhrat e ekstradimit. Për këtë arsye, urdhrat u shfuqizuan.
Shqipëria dhe Sekretarja e Shtetit e kundërshtuan këtë vendim, duke e çuar çështjen në Gjykatën Supreme të Mbretërisë së Bashkuar, e cila pranoi ta shqyrtojë apelin më 10 mars 2027.
Vendimi i kësaj gjykate pritet të qartësojë çështjen ligjore që lidhet me përcaktimin e akuzave në procedurat e ekstradimit dhe mund të ketë rëndësi për vijimin e përpjekjeve të autoriteteve shqiptare për të sjellë pesë të kërkuarit përpara drejtësisë.
