Gjykata e Strasburgut deklaroi pak ditë më parë se Shqipëria duhet të zvogëlonte ngarkesën e çështjeve të prapambetura në nivele të ndryshme gjyqësore duke plotësuar vendet vakante përkatëse gjyqësore dhe duke siguruar burimet e nevojshme për sistemin gjyqësor.
Në një letër dërguar gazetares Anila Hoxha, Pëllumb Yzeiraj, tregon se e ka fituar çështjen e tij në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila thekson se i dënuari duhet të ndërpresë dënimin.
Në letrën e dërguar përpara disa ditëve, ai shprehet se Gjykata e Fierit dhe ajo e Apelit e kanë zvarritur dhe se është futur në një grevë urie deri sa këto gjykata t’i japin një zgjidhje çështjes së tij.
Letra e Plotë:
E nderuar znj. Hoxha,
E di që emri im nuk është i panjohur për ju, por jam i sigurt gjithashtu që ju nuk e keni dëgjuar ndonjëherë versionin tim të së vërtetës.
Unë kam 24 vjet që po vuaj një dënim të padrejtë nga gjykatat shqiptare dhe edhe pse e fitova gjyqin kundër Shqipërisë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut. Këto gjykata akoma vazhdojnë të më zvarrisin sa në Gjykatën e Fierit po ashtu në Gjykatën e Apelit duke lënë kështu që mos të zbatojnë as vendimin e GJ.E.D.NJ.
Prandaj unë vendosa të ndërmarr një akt ekstrem, të futem në grevë urie derisa këto gjykata të japin një zgjidhje të çështjes sime, pasi kam 24 vjet që vuaj një dënim të padrejtë dhe pasi kam më shumë se 2 vjet që më sorollasin sa në një gjykatë në tjetrën.
Numrin e tel. tim ma ka bllokuar komanda pasi folëm për çështjen e A. Lleshit, por jam i sigurt që nëse do që të dëgjosh versionin tim, ti di si ta gjesh mënyrën.
Kam besim dhe shpresoj se do të bësh të mundur që zëri im të dëgjohet dhe të shkojë në vesh të ndonjë gjykatësi të përgjegjshëm që dhe unë të marr të drejtën time.
Ju faleminderit!
I.E.V.P. PERIN
Sot, dt. 10.02.2026
Me respekt,
Pëllumb Yzeiraj

Top Channel
