Gjykimi federal i ish-boksierit të rëndë Goran Gogic në New York u përball me një incident të paparashikuar, pasi tre persona u përpoqën të korruptonin jurinë me një ryshfet prej 100,000 dollarësh për të shpallur Gogic jo fajtor në akuzën për trafikim të kokainës. Mediat e huaja raportojnë se të dyshuarit e arrestuar—Mustaga Fteja, Valmir Krasniqi dhe Afrim Kupa—kanë lidhje me krimin e organizuar shqiptar dhe me familjen mafioze Gambino.
Mustafa Fteja, u lirua me një garanci prej 150,000 dollarësh pas një seance gjyqësore ndërsa dy të tjerët, Valmir Krasniqi dhe Afrim Kupa, u burgosën në pritje të procedurave të mëtejshme. Të tre mund të përballen me deri në 20 vite burg nëse shpallen fajtorë, dhe prokurorët nuk përjashtojnë mundësinë e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë skemë korruptive.
Prokurorët konfirmuan se Afrim Kupa, 52 vjeç, u filmua duke ofruar ryshfet, ndërsa Valmir Krasniqi, 35 vjeç, menaxher i një restoranti në Bay Ridge, ka lidhje të dokumentuara me krimin e organizuar shqiptar. Mustaga Fteja, megjithëse pa lidhje direkte me mafian, ishte pjesë e planit të korrupsionit.
Goran Gogic, 46 vjeç, i lindur në Mal të Zi, ka një karrierë boksieri nga 2001 deri në 2012, me rekord 21-4-2. Ai akuzohet për trafikimin e 22 tonëve kokainë, me vlerë mbi 1 miliard dollarë, nga Kolumbia drejt Evropës përmes SHBA-së. Autoritetet amerikane e konsiderojnë Gogic një trafikant të rrezikshëm të nivelit të lartë të kartelit të Ballkanit.
