GJKKO ka rrëzuar kërkesën e gjyqtares Irena Gjoka për tu larguar nga gjykimi i ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Seancën e kaluar, 11 nëntor, Gjoka kërkoi largimin nga gjykimi me argumentin se ka qenë gjyqtare e seancës paraprake dhe se çështjen e mori pasi i pandehuri kërkoi fillimisht gjykim të shkurtuar. 

Zëvendëskryetari i GJKKO-së, Erjon Bani, pasi shqyrtoi kërkesën e gjyqtares Gjoka, e rrëzoi me argumentin se nuk ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë.

Prokurori Klodian Braho relatoi një pjesë të provave shkresore që kërkoi të bëhen pjesë e shqyrtimit gjyqësor, ndërkohë seanca u shty në datën 9 dhjetor për të vijuar me këtë moment procedural.

Gjyqi për masakrën e Gërdecit ka nisur në prill 2023. Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi, sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Vetë Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjetjet e ekspertëve. 

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.