Një raportim i vështirë, për një ngjarje që tronditi mbarë vendin, vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, dhe që për kreun e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, nuk është e para.
Përballë deputetëve në Komisionin e Ligjeve, kreu i KLGJ tregoi se ka humbur edhe babanë e tij në një aksident në punë.
“Nuk mund ta filloja ndryshe këtë raportim, për të anashkaluar situatën e ndodhur javën e kaluar, jetën e një njeriu gjatë ushtrimit të detyrës. Edhe unë vite më parë e kam humbur babain në aksident në punë. Njëkohësisht fëmijët e mi kishin lidhje me vajzën e të ndjerit.
Ja që ndodh të jesh në krye të KLGJ, e kuptoj fare mirë çdo të thotë aksident në punë dhe çfarë masash duhen marrë. Doja t’i bëja thirrje presidentit dhe organeve të drejtësisë, në këtë moment të tillë, është pika kulmore. Është momenti për një bashkim me njëri tjetrin, është moment reflektimi”-u shpreh mes të tjerash kreu i KLGJ.
Të vritesh në krye të detyrës, për kreun e KLGJ është pika kulmore, por përmes historisë së tij familjare, ai përcjell mesazhin reflektim edhe në rastin e gjyqtarit të ndjerë dhe për këtë, ka një thirrje për Presidentin, të gjitha institucionet, e madje dhe qytetarët.
“Gjyqësori është maja e ajsbergut”, e mbyll mesazhin Ilir Rusi, ndaj dhe sipas tij, të gjithë duhet të mendojnë për brezat që vijnë dhe të japin kontributin e tyre për t’u bërë pjesë e familjes evropiane./ Top Channel