Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal te seanca e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese të premten e kaluar.
Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, ai u shpreh se Veliaj gjatë seancës gjeti guximin të krahasonte Partinë Socialiste me FARC-un e Kolumbisë.
“E premtja që kaloi është e premtja më e zezë e narkoshtetit të Edi Ramës. Të gjithë ne ishim dëshmitarë me disa pamje të cilat atyre që janë përjetuar diktaturën totalitare, i kujtojnë procesin e Kadri Hazbiut në gjyqin e partisë. Të tilla ishin pamjet e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, por në dallim nga Kadri Hazbiu që deklaronte se e ka nga partia e tij, Erion Veliaj me guxim krahasoi partinë e tij me FARC-un e Kolumbisë.
Nuk kam absolutisht as edhe ndjesinë apo më minimale, se Erion Veliaj është një person i pafajshëm. Erion Veliaj është një person i cili mbahet në burg për minimumi 1/100 e asaj që ka vjedhur dhe shpërdorura, për të mos thënë 1/200-ën e saj. Por duke thënë këtë, e vërteta e padiskutueshme është se të drejtat e njeriut u shkelën në mënyrë brutale, u përdor ndaj tij ajo praktikë që Enver Hoxha përdori ndaj Kadri Hazbiut.
Në këtë rast, duke shkelur çdo procedurë e çdo ligj, i dhanë atij guxim të krahasojë me FARC-un e Kolumbisë partinë e tij. Në fakt ai tha një të vërtetë, narkoparti, narkoregjim. Kjo është e vërteta e Shqipërisë”, tha ndër të tjera Berisha.//TCH
