I shoqëruar nga forcat e policisë, ka mbërritur vetëm para pak çastesh në ambientet e Gjykatës Administrative, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pas pak çastesh pritet të nisë seanca e radhës gjyqësore që mbahet mes Veliajt dhe prokurorit të Posaçëm, Olsi Dado.

Seanca e fundit u shty për t’u dhënë kohë palëve të shqyrtojnë kërkesën e shoqatës “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë”, e cila ka kërkuar të përfshihet si palë në procesin gjyqësor. Shoqata i është drejtuar Gjykatës Administrative me kërkesën që të shpallë të pavlefshëm dekretin për emërimin e Ols Dados si prokuror në vitin 2008. Sipas përfaqësuesve të saj, çështja ka interes të gjerë publik, pasi lidhet me integritetin e sistemit të drejtësisë, një prej objektivave kryesorë të veprimtarisë së kësaj organizate.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku kërkon anulimin e dekretit presidencial me të cilin Ols Dado u emërua prokuror në vitin 2008, duke argumentuar se ai nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Palë e paditur në këtë proces është edhe Presidenca, institucioni që në atë kohë, nën drejtimin e Bamir Topit, dekretoi emërimin e Ols Dados në detyrën e prokurorit.