Fotografi Klevin Halili, mik i modeles Trejsi Sejdini, ka dhënë deklaratën e tij në gjyqin ndaj Leonard Dukës. Ai ka treguar se nuk ka pasur asnjë njohje personale me të dhe se për lidhjen e përfolur mes Dukës dhe modeles Sejdini e ka mësuar vetëm nga mediat.

Gjatë dëshmisë së tij, Halili shpjegoi se në janar të vitit 2020 ai udhëtoi drejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me modelen Sejdini për të kaluar disa javë pushimi dhe për të realizuar disa sete fotografike në New York. Sipas tij, qëndrimi i planifikuar për rreth një muaj u zgjat për shkak të pandemisë së COVID-19. Gjatë kësaj kohe, modelja kishte marrë një apartament me qira, ndërsa ai kishte qëndruar në banesën e motrës së tij.

Ndërkohë, në dosjen e SPAK thuhet se Leonard Duka i kishte kërkuar bashkëpunëtorit të tij, Drianto Bardhi, që t’i dërgonte 500 dollarë Trejsi Sejdinit, e cila ndodhej në New York. Sipas të njëjtës dosje, shuma është dërguar në emër të Bardhit dhe është tërhequr nga fotografi Klevin Halili përmes një pike transfertash financiare.

Halili deklaroi se modelja merrte herë pas here shuma parash të dërguara nga Shqipëria gjatë qëndrimit të saj jashtë vendit.