Urim Muja ka dëshmuar në GJKKO për dosjen ‘Partizani’, duke deklaruar se gjatë kohës që ka drejtuar Administratën dhe Shitjen e Pronës në Ministrinë e Financave, procedurat për shitjen e pronave janë ndjekur sipas rregullave ligjore. Ai tha se dosja ‘Partizani’ ishte një praktikë si shumë të tjera dhe se nuk kishte pasur elementë të pazakontë gjatë shqyrtimit të saj.
Muja u shpreh se mungesat në dokumentacion ishin raste të zakonshme dhe se kur një dosje kishte dokumente që mungonin, palës i kërkohej t’i plotësonte përpara vijimit të procedurave. Ai theksoi se vendimi për shitjen merrej në bazë të ligjit dhe jo nga ndikime të tjera.
Gjatë dëshmisë së tij, ish-drejtori i Ministrisë së Financave deklaroi gjithashtu se nuk kishte qenë asnjëherë në ambientet e ish-klubit ‘Partizani’ dhe nuk e dinte vendndodhjen e tij. Ai shtoi se përdorimi i letrave me vlerë ishte një praktikë e përdorur edhe në raste të tjera dhe ishte bërë në përputhje me ligjin.
“Kam qenë i punësuar në Ministrinë e Financave në ‘92-96 mos gaboj, në 2006 deri në 2013, pastaj pa punë. Funksioni im, drejtor administrate dhe shitje prone. Sipas ligjit, lidhnim kontratë shitje sapo dosja vinte nga Ministrinë e Ekonomisë. Kjo është dosje normale si gjithë të tjerat, pra kishte një praktikë, detajet si mbaj mend, jam i sigurt që e kemi bërë konform ligjit.
Nuk ka element përjashtimor, jam i sigurt që s’kishte asgjë të pazakonte si dhjetra dosje të tjera që na kanë ardhur, asnjë problem të pazakontë s’kemi patur në atë dosje. Mungon një dokument, i kemi thënë hajde bjere si për dhjetra raste të tjera, asnjë përjashtim, sa e sa herë mungojnë dokumente dhe i themi palës plotësoje, sille, nëse e ka e sjell kaq.
Ajo dosje kalon nëpër filtra në sektorinin e shitjes ka thënë duhet edhe kjo shkresë, siç kemi vepruar për këtë kemi vepruar çdo rast tjetër. Nuk e kam parë ndonjëherë ku ndodhet ish klubi, skam qenë asnjëherë. Letrat me vlerë janë përdorur edhe para administratës ku kemi qenë ne, absolutisjt që janë përdorur edhe në raste të tjera, me emra smë kujtohen por janë përdorur sipas ligjit. Sikur kjo dosje të krijohej sot, të shkonin tek drejtoria që kam qenë, ata do e shesin, se i detyron ligji jo dikush a diçka tjetër”, tha ai.
