Në Gjykatën e Posaçme ka nisur procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i dyshuar për korrupsion zgjedhor.

“Ora News” ka siguruar dëshminë e Alfred Martini, Nikolin Martinit dhe Kol Kolecit.

Alfred Martini:“Nuk kam për çfarë përgjigjem, se ne kemi shkuar te Kristian Shkreli, se nuk kishim energji elektrike, jemi ankuar 5 veta. Faleminderit prej tij që na i ka pru dritat. Jemi takuar tek lokali i tij, në Kryebushat. E kam marrë në telefon, i kam thënë që dua me e taku, më ka thënë hajde me taku, por pas një jave besoj. Kam qenë me xhaxhain dhe familjarë të tjerë. Ne vajtëm tek Shkreli, se nuk njohim njeri tjetër, shkuam se ai është kryetar bashkie. E kemi takuar vetëm atëherë kur i jemi ankuar për energjinë, s’kemi diskutuar më as kemi folur me të që atëherë. Nuk jam orientuar për të votuar nga Kristian Shkreli. Unë kam shkuar për të votuar”, ka dëshmuar Alfred Martini.

Më pas SPAK ka vijuar me leximin e përgjimeve.

SPAK: Në 13 prill ju, dëshmitar, keni qenë nën përgjim, keni folur me Kristian Shkrelin. Po ashtu edhe një bisedë tjetër në datën 18 prill. Mund të më shpjegoni çfarë përfaqëson Toma? Kush është Toma?

Dëshmitari: Toma është Tom Doshi, ne s’kemi folur për interes. Me shku në miting, se kam kuptuar as qartë për çfarë. Nuk kishim asnjë interes.

SPAK lexon të tjera përgjime: “A do me ia nis punës me i pru njato drita, s’di a kanë pasur kontrolle këta te OSHE. Merri o burrë se dalim edhe në të këqinj o burrë se i kemi njerëzit në Mal të Zi, se kena me i sjellë nga atje. Fol o burrë se dalim edhe na keq.”

Dëshmitari: Në këtë moment ka folur vëllai im, ishim bashkë, unë e kam dëgjuar bisedën.

SPAK ka një bisedë të datës 23 prill: “Shkreli ju përgjigjet të premten vijnë ata, fillojnë punë se kanë porositë shtylla se s’kanë pasur, të premten vijnë me vinç e me shtylla për t’i vendosur.”

SPAK: Çfarë keni diskutuar në këtë bisedë?

Dëshmitari: S’kam më çfarë përgjigje me dhënë. Për këtë s’mërzitem, s’kam asnjë interes, është djalë i mirë, djalë i fjalës (i referohet Shkrelit).

SPAK: Ju keni bërë një bisedë me një numër të regjistruar në emër të Filip Bardelit, në datën 6 maj 2025.

“Hë Filip, u lodhe, a jeni mirë, u lodhët, na ka thirrë Kristiani, vjen nesër Toma tek ai ‘Angelo’ në 6 sahati të mbasdites. Tek Angelo, aty në Stajkë. Këtu tek lokali i dasmave, ato si keni kenë atë ditë, por vijnë edhe të tjerët. Mirë është me qenë aty se na duhet edhe për rrugë e për gjana të tjera. Njata që jena kanë të jena të paktën nesër. Hajt natën e mirë, i pafsh me jetë.”

Dëshmitari: Po, kemi shkuar tek mitingu që u zhvillua në Stajkë. Ata personat që ishim më parë. Ne vajtëm në shenjë respekti.

SPAK: Në datën 6 maj pasdite ju keni komunikuar me një numër tjetër.

“Nuk është punë fëmije, ne duhet me i dalë burrë atij burri, po s’i lë dot punët e mia, por as ai s’i lë punët e veta me të sjellë ty vota. Po marr një në vendin tënd, se s’kam çfarë me thënë, se u bëre dy herë që i ke dalë kundër.”

SPAK: Për çfarë bisedoni me shtetasin Jakë Bardheli?

Dëshmitari: I thashë me shku për respekt, se nuk është e ndaluar me shku nëpër mitingje.

Avokatja e Kristian Shkrelit: A ju ka ofruar diçka i mbrojturi prej meje, para, punë për veten, për gruan, për familjen, për ndonjë familjar?

Dëshmitari Alfred Martini: Jo, s’më ka ofruar asgjë. I kam kërkuar unë të na rregullojë linjën e energjisë elektrike. Shkreli s’më ka kërkuar asgjë në këmbim.

Dwshmitari i dyte ishte Nikolin Martini.

Nikolin Martini: Jetoj në Shkodër, vëllai im Alfredi jeton ne fshatin Stajkë.

Vëllai im ka komunimuar me Kristian Shkrelin për shkak se kishim problem me dritat. Kryetari pas disa ditësh ka sjell dritat. As nuk me ka premtuar asgjë.

Dëshmon Kol Koleci: Banoj në fshatin Stajkë, njësia Bushat. Ne kemi pas 22 vite pa drita, laheshim me kova. Deri para një viti kur erdhi ky Zotnia na rregulloi punë. Ky na e ka zgjidh problemin, lagja jonë është me e persekutuar. Kristjani na ka sjell energji elektrike, kemi qenë në pikë të hallit. Në takim kemi shkuar me Filip Bardelin, Kol Martinin, Alfred Martini. Problemi u zgjidh dhe rruga po rregullohet. Më thanë do shkojmë te lokali i fshatit në Stajkë. Nuk e kam takuar kryebashkiakun që para zgjedhjeve të fundit. U dashka me ardh te ju te SPAKU se kemi besim. Vetëm këtu nuk kemi ardhur. Ky është djalë punëtor. Ankesën e dritave e kemi bërë gjithmonë, takimin nuk më kujtohet se kur e kemi bërë. Nuk më ka orientuar askush se kë duhet të votoja më 11 maj 2025. Jemi ankuar te kryeplaku më përpara.