Në vijim të procesit gjyqësor për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, në seancën më të fundit të zhvilluar me dyer të mbyllura kanë dëshmuar pesë të mitur, të cilët u paraqitën si persona që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes tragjike.
Ndër ta ishte edhe i mituri K.B., i cili ndodhej në vendin e ngjarjes dhe për të cilin familjarët e viktimës kanë ngritur dyshime dhe pretendime.
Sipas procedurave ligjore për të miturit, dëshmitë u morën pa praninë e të pandehurit Mario Përlleshaj, i akuzuar për vrasjen e Martin Canit. Përlleshaj, përmes mbrojtësit të tij ligjor, vijon të mohojë se ka qëlluar drejt viktimës, duke deklaruar se objektivi i tij ka qenë Luis Meçe, i cili mbeti i plagosur në të njëjtin incident.
Në seancën e ardhshme, pritet të dëshmojnë edhe shtatë persona të tjerë, nga të cilët katër janë të mitur. Edhe ata do të paraqiten në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen, teksa hetimet dhe procesi gjyqësor vijojnë të hedhin dritë mbi rrethanat e plota të vrasjes së të miturit.
