Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka zbardhur planin e masave të sigurisë pas ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra në krye të detyrës brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Ngjarja tragjike ka nxitur reagim të menjëhershëm nga KLGJ, e cila ka hartuar dhe miratuar një plan të posaçëm për rritjen e nivelit të sigurisë në gjykata, duke theksuar nevojën për mbrojtje më të fortë të trupës gjykuese dhe punonjësve të sistemit të drejtësisë.

NJOFTIMI I KLGJ
Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e datës 10.10.2025, në vijim të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, me qëllim adresimin e problematikave dhe nevojave të ngritura në takimin e zhvilluar nga gjyqtarët, vendosi të hartojë një plan masash që kanë të bëjnë me:

-Marrjen dhe analizimin e informacionit të detajuar, lidhur me masat e marra dhe kërkesat drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor nga secila gjykatë, nga Kryetari, Zëvendëskryetarët ose Këshillat e Gjykatës, gjatë viteve 2023, 2024, 2025, me objekt administrimin/menaxhimin e sigurisë në gjykatë;

-Marrjen e informacionit lidhur me kushtet ekzistuese të shërbimit dhe të infrastrukturës së sigurisë në gjykata, pajisjen me skanera, detektorë, kamera sigurie, pajisje të tjera sigurie, si dhe funksionimin e tyre, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, me qëllim standardizimin e procedurave dhe trajnimin e personelit për menaxhimin e situatave që lidhen me sigurinë;

-Pas analizimit të informacionit të marrë dhe identifikimit të problematikave dhe nevojave konkrete, ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune me qëllim:

i) adresimin e ndryshimeve ligjore dhe nënligjore për marrjen e masave për garantimin e sigurisë në gjykata për gjyqtarët, personelin gjyqësor dhe çdo përdorues të gjykatës;

ii) sigurimin e pranisë së punonjësve të sigurisë të trajnuar apo pjesë e Policisë së Shtetit;

iii) miratimin e protokolleve dhe procedurave standarde të sigurisë për secilën gjykatë;

-Ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune, me përfaqësues nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, me qëllim hartimin e masave të përbashkëta për sigurinë në sistemin gjyqësor në tërësi;

-Përafrimin e kuadrit ligjor me praktikat më të mira ndërkombëtare, lidhur me sigurinë e gjyqtarëve, stafit mbështetës, si dhe përdoruesve të gjykatës;

-Duke mbajtur në vëmendje detyrimet ligjore dhe punën e nisur nga viti 2021 e në vijim, me qëllim sigurimin e një infrastrukture të përshtatshme për kushtet e punës dhe sigurisë në gjykata, në bashkërendim me këshillat e secilës gjykatë, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të marrë masa të menjëhershme lidhur me adresimin pranë pushtetit vendor dhe kërkimin e ndihmës për ndërtimin e 8 godinave të reja të gjykatave të shkallës së parë në rrethet gjyqësore, si dhe ndërtimit të godinave të reja për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;

-Gjithashtu Këshilli, nxit gjykatat që të marrin masa për zbatimin e projekteve, në mënyrë që fondet e akorduara të realizohen brenda vitit buxhetor;

-Në kuadër të pavarësisë institucionale, në bashkërendim me Ministrinë e Drejtësisë, të kërkojë kalimin në pronësi të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të godinave ekzistuese të gjykatave dhe atyre që do të ndërtohen;

-Analizën e të dhënave nga raportimet periodike të gjykatave, me qëllim rritjen e performancës dhe përkushtimit profesional dhe moral të secilit magjistrat;

-Ngritjen e grupeve të punës me qëllim hartimin e propozimeve për ndryshime ligjore në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, të përbërë nga anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, gjyqtarë nga të tre shkallët e gjyqësorit, Gjykata e Lartë, Gjykatat e Apelit dhe Gjykatat e Shkallëve të Para, si dhe staf drejtues administrativ pranë Këshillit;

-Bashkëpunimin me AKEP dhe AMA, me qëllim marrjen e masave për ndalimin e gjuhës së papërshtatshme ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale, platformave online dhe media, informimin e këtyre institucioneve mbi situatën aktuale, si dhe duke kërkuar prej tyre marrjen e masave konkrete brenda kompetencave ligjore;

-Nisjen e procedurës për emërtimin e sallës së amfiteatrit në godinën “Poli i Drejtësisë” me emrin “Astrit Kalaja”, si dhe dërgimin e propozimit tek institucionet përkatëse, për dhënien e titullit “Dëshmor i Atdheut” gjyqtarit të rënë në krye të detyrës.

Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i përkushtuar për garantimin e një sistemi drejtësie të sigurt, të pavarur dhe funksional, në shërbim të qytetarëve dhe shtetit të së drejtës.