Dosja


Prokuroria e kryeqytetit u ka dhënë fund hetimeve ndaj ish-gjyqtarit Neritan Tabaku, i cili do të përballet me drejtësinë për akuzën e shpërdorimit të detyrës në dëm të interesave të shtetit. Burime të prokurorisë konfirmuan se njësia task-force i thotë në kërkesën për gjykim Dhomës Penale se Tabaku ka dëmtuar interesat e prokurorisë në momentin që nuk ka zbardhur brenda afateve dy vendime të shkallës së parë, duke lënë në ngërç për një kohë të gjatë gjykimin në apel të shtetasve Ilir Xhakja dhe Jordan Findiku. Prokuroria vijon me tej duke argumentuar se ish-gjyqtari ka dëmtuar gjithashtu imazhin e gjyqësorit. Duke radhitur argumentet e tij, prokurori i çështjes, Julian Zonja, mësohet se e akuzon ish-gjyqtarin se për më shumë se një vit, ai vonoi zbardhjen e vendimit të pafajësisë për Ilir Xhaken, që akuzohej për vrasjen e Qerim Malokut, kurse moszbardhjen e vendimit për pothuajse dy vjet për shtetasin tjetër që gjykohej për falsifikim, Jordan Findiku, ia sjell në vëmendje gjykatës së kryeqytetit si rrethanë rënduese.