Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 58-vjeçares Lumturi Patushi në Tiranë, e cila dyshohet se u vra me thikë nga bashkëshorti i saj, 68-vjeçari Hysni Patushi.
Pas ngjarjes, policia është vënë në lëvizje pas një telefonate të bërë në sallën operative. Ishte nipi 14-vjeçar i viktimës ai që njoftoi uniformat blu me fjalët: “Gjyshja ka vdekur”.
Sipas dëshmisë së dhënë për hetuesit, 14-vjeçari dhe vëllai i tij 8-vjeçar ndodheshin në banesë dhe panë momentin kur gjyshi i tyre dyshohet se goditi me thikë gjyshen, pas një konflikti mes çiftit.
Pas krimit, 68-vjeçari u largua nga banesa. Sipas të dhënave të hetimit, ai dyshohet se hodhi thikën rreth 200 metra larg pallatit dhe më pas u drejtua drejt Kamzës, ku u strehua tek një kushëri.
I afërmi i tij njoftoi policinë për vendndodhjen e Patushit, duke bërë të mundur arrestimin e tij.
Gjatë marrjes në pyetje, 68-vjeçari ka deklaruar se konflikti me bashkëshorten lidhej me faktin se ajo qëndronte tek vajza e tyre dhe kujdesej për nipërit, ndërsa ai jetonte vetëm.
Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se Hysni Patushi ishte arrestuar edhe më parë, në vitin 2018, për dhunë në familje ndaj bashkëshortes.
Ndaj tij rëndon akuza për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare. 68-vjeçari pritet të dalë të hënën para Gjykatës së Tiranës, ku do të njihet me masën e sigurimit.
