Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim tre shtetas, të akuzuar për dhunë ndaj punonjësve të rendit gjatë ushtrimit të detyrës.
Ngjarja ka ndodhur më 15 prill 2025, gjatë një operacioni hetimor në qytetin e Fierit, ku efektivë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Forcës Operacionale janë sulmuar fizikisht nga të dyshuarit, pavarësisht identifikimit të tyre si zyrtarë të ligjit.
Sipas Prokurorisë, gjatë lëvizjeve të tyre në zona të ndryshme të qytetit, punonjësit e policisë u ndoqën dhe më pas u ndaluan nga tre shtetas, të cilët, pavarësisht prezantimit të oficerëve si punonjës të ligjshëm të rendit, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre.
Ngjarja u regjistrua në kuadër të procedimit penal nr. 509, viti 2025, dhe pas veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me policinë gjyqësore, u provua se veprimet e të pandehurve përbëjnë elementë të veprës penale “Goditje për shkak të detyrës”, në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 237/3 dhe 25 të Kodit Penal.
Pas arrestimit në flagrancë, ndaj tre të pandehurve janë vendosur masat e sigurisë “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”, ndërsa tashmë çështja do të shqyrtohet nga gjykata.
Prokuroria: E vendosur për të mbrojtur autoritetin shtetëror
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Fierit thekson se mbetet e angazhuar në mbrojtjen e veprimtarisë shtetërore, të autoritetit të ligjit dhe të sigurisë së punonjësve të shtetit nga çdo akt dhune apo veprim kriminal që tenton të pengojë ushtrimin e detyrës së tyre.