Policia e Sarandës ka identifikuar tre personat e dyshuar për kanosjen dhe dhunimin e oficerit të Policisë, Mihal Velço, gjatë një incidenti të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në qytetin bregdetar. Të tre janë shpallur në kërkim.

Sipas burimeve policore, bëhet fjalë për Andrea Rubatin, 27 vjeç, Antonio Lefterin, 30 vjeç dhe Engjëll Dalanajn, 30 vjeç, të cilët rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë restorantit “Lindi”. Oficeri i Policisë Mihal Velço, 32 vjeç, ka njoftuar sallën operative se është sulmuar nga tre persona që lëviznin me motomjete, pasi u ishte prezantuar si efektiv policie dhe u kishte kërkuar të ndalonin manovrat e rrezikshme në qytet.

Sipas kallëzimit të tij, tre të dyshuarit e kanë goditur për shkak të detyrës dhe më pas e kanë kanosur me thikë, duke tentuar ta sulmojnë. Pas incidentit, ata janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja me motomjetet e tyre.

Nga veprimet hetimore, analizimi i pamjeve filmike dhe informacionet e grumbulluara, policia ka bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar.

Oficeri Mihal Velço ka depozituar kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë në lidhje me ngjarjen.

Në vijim të operacionit për kapjen e tyre, forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle në banesat e tre të dyshuarve dhe në ambiente të tjera ku dyshohej se mund të fshiheshin. Janë kontrolluar banesa e Andrea Rubatit në rrugën “Mitat Hoxha” në Sarandë, si edhe banesa e gjyshit të tij në fshatin Livadhja, Bashkia Finiq, por ai nuk është gjetur. Po ashtu janë kontrolluar banesa e Antonio Lefterit në rrugën “Skënderbej” dhe ajo e Engjëll Dalanajt në rrugën “Onhezmi”, pa rezultat.

Policia bën me dije se tre të dyshuarit janë shpallur në kërkim dhe ndaj tyre rëndojnë dyshimet për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kanosja”, të parashikuara nga nenet 237 dhe 84 të Kodit Penal. Hetimet vijojnë për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.