Tetë persona kanë përfunduar në prangat e autoriteteve belge pas një operacioni të zhvilluar në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar të kokainës. Grupi i goditur dyshohet se përbëhej kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe se kishte lidhje me rrjete kriminale në Amerikën Latine.

Katër prej personave të përfshirë në çështje janë vendosur në arrest shtëpiak. Mes të arrestuarve është edhe 52-vjeçari shqiptar Gerd Gjinarari, i njohur me nofkën “Gjenerali”, një emër që kishte përfunduar edhe më parë në radarët e autoriteteve belge dhe italiane.

Hetimi kishte nisur rreth një vit më parë, kur policia mori të dhëna për një apartament në Berchem të Antwerp-it, i cili dyshohej se shërbente si bazë për magazinimin e sasive të konsiderueshme të kokainës.

Nga verifikimet e mëtejshme, hetuesit përqendruan vëmendjen te një 48-vjeçar. Ai dyshohet se kishte një rol të rëndësishëm në komunikimin mes grupeve shqiptare dhe furnizuesve të drogës nga Amerika Latine.

Sipas dyshimeve të autoriteteve, 48-vjeçari merrej me koordinimin e mbërritjes së ngarkesave, organizimin e nxjerrjes së kokainës nga porti i Antwerp-it dhe shpërndarjen e saj. Ai dyshohet gjithashtu se rekrutonte persona të ndryshëm për të lehtësuar operacionet, përfshirë punonjës sigurie, si dhe organizonte ekipet që merrnin ngarkesat në zonën portuale.

Gjatë hetimit, policia belge kishte mundur të ndërhynte edhe në dy raste të mëparshme, duke sekuestruar dy ngarkesa me 46 dhe 53 kilogramë kokainë.

Faza e fundit e operacionit përfshiu kontrolle dhe bastisje në disa zona të Antwerp-it, mes tyre Berchem, Deurne dhe Kapellen, por edhe në disa adresa në Bruksel.

Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan armë zjarri dhe municione, jelekë antiplumb, pajisje që dyshohet se shërbenin për bllokimin e sinjaleve, para cash dhe makineri për numërimin e kartëmonedhave.

Policia gjeti gjithashtu dokumente të dyshuara të falsifikuara, mes të cilave pasaporta dhe karta shtypi. Në duart e hetuesve përfunduan edhe presa dhe kallëpe që dyshohet se përdoreshin për përgatitjen dhe formimin e blloqeve të kokainës.

Një prej emrave më të njohur të arrestuar gjatë operacionit është Gerd Gjinarari. 52-vjeçari, i njohur si “Gjenerali”, ishte ndaluar në Belgjikë edhe në qershor nga njësia FAST e Policisë Federale, pasi kërkohej ndërkombëtarisht nga drejtësia italiane.

Autoritetet italiane e kërkojnë Gjinararin në lidhje me një vrasje të ndodhur në Milano në vitin 1997. Sipas akuzës, viktima, e cilësuar si rival i tij, u vra brenda një spitali me një armë që dyshohet se ishte fshehur në një buqetë me lule.

Pas ndalimit të qershorit kishin nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë, ndërsa mbeten të paqarta rrethanat në të cilat ai ishte lënë i lirë.

Tashmë Gjinarari është arrestuar përsëri, këtë herë si pjesë e hetimit të autoriteteve belge mbi rrjetin e dyshuar të trafikut të kokainës. Krahas çështjes së vjetër për të cilën kërkohet nga Italia, 52-vjeçari përballet kështu edhe me një procedim të ri në Belgjikë.