Dy shtetas shqiptarë janë vënë në pranga nga policia italiane, nën dyshimin se ishin pjesë e një rrjeti të shpërndarjes së kokainës.

Operacioni u zhvillua gjatë orëve të vona të mbrëmjes dhe u finalizua në orët e para të mëngjesit. Sipas mediave italiane, efektivët e Skuadrës Fluturuese kishin disa ditë që po monitoronin lëvizjet e dy të rinjve, të cilët u ndoqën deri në një zonë periferike të qytetit.

Atje, ata u panë duke marrë një sasi të dyshuar nga një vend i fshehur, veprim që ngriti dyshime dhe çoi në ndërhyrjen e menjëhershme të policisë. Gjatë kontrollit në automjet, u gjetën rreth 50 doza kokaine të gatshme për shitje.

Kontrolli vijoi edhe në banesën e tyre, ku u sekuestruan sasi të tjera lënde narkotike, pajisje për peshimin dhe paketimin e saj, si dhe 4 mijë euro para të gatshme, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm. Në total, autoritetet raportojnë për rreth 200 gramë kokainë të sekuestruar, me një vlerë tregu mbi 10 mijë euro.

Me urdhër të Prokurorisë Publike në Ankona, dy të rinjtë u arrestuan në flagrancë dhe u dërguan në burgun e Montacuto, ku do të qëndrojnë në dispozicion të drejtësisë italiane.