Një operacion i policisë italiane në qytetin e Anzios, pranë Romës, ka zbuluar një rrjet prostitucioni që funksiononte brenda një klubi nate, ku gjatë kontrolleve u identifikua edhe një shtetase shqiptare.

Sipas mediave italiane, aksioni u ndërmor nga efektivët e Squadra Mobile të Romës në bashkëpunim me komisariatin lokal, ndërsa në pranga ra pronari 74-vjeçar i lokalit. Ai akuzohet për shfrytëzim dhe favorizim prostitucioni, si edhe për nxitje të kësaj veprimtarie të paligjshme.

Gjatë ndërhyrjes së policisë në ambientet e klubit u identifikuan katër gra me origjinë shqiptare, kolumbiane dhe nigeriane, të cilat dyshohet se ushtronin prostitucion në lokal.

Në momentin e kontrollit, në klub ndodheshin rreth 20 klientë, mes tyre edhe 12 të mitur. Autoritetet bëjnë me dije se të rinjtë iu dorëzuan më pas familjarëve të tyre.

Policia italiane sekuestroi gjithashtu një sasi të vogël kokaine dhe rreth 1500 euro cash, ndërsa ndaj lokalit është vendosur masa e sekuestrimit.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjithë aktivitetin kriminal dhe për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në rrjet.