Një 50-vjeçar është arrestuar nga Policia në Korçë pasi goditi me gurë bankomatin e një banke të nivelit të dytë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, i arrestuari është shtetasi V. N., i njohur edhe me emrin P. N., banues në Pukë. Ai rezulton të ketë qenë më parë i proceduar për veprën penale të shkatërrimit të pronës.
Gjithashtu, 50-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Lezhë, pikërisht për të njëjtën vepër penale.
Materialet hetimore janë referuar tashmë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i policisë
Goditi me gur, xhamin e një bankomati, identifikohet, kapet dhe arrestohet 50-vjeçari.
50-vjeçari, i proceduar penalisht disa herë, për shkatërrim prone.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 9 Korçë, një shtetas kishte goditur me gur, bankomatin e një banke të nivelit të dytë, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e tij.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë identifikuan dhe arrestuan në flagrancë shtetasin V. N. alias P. N., 50 vjeç, banues në Pukë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”.
Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Lezhë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës” dhe ishte proceduar penalisht disa herë, për këtë vepër penale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
