Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka theksuar nevojën për goditjen e aseteve të përfituara nga aktivitetet kriminale, duke nënvizuar se pasuritë me burim të paligjshëm duhet të sekuestrohen dhe konfiskohen. Sipas Brahos, këto pasuri duhet të kalojnë në pronësi të shtetit dhe më pas të vihen në shërbim të interesit publik, duke u përdorur për qëllime të ligjshme dhe në dobi të qytetarëve. Ai e konsideroi konfiskimin e pasurive kriminale një nga instrumentet më të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ky reagim vjen pas aksion ku u godit grupi i strukturuar kriminal me 10 anëtarë, konkretisht:

Nikoll Bibaj
⁠Isa Aliu,
⁠Sokol Bibaj
⁠Florjan Musaj
⁠Armando Pacani
⁠Denis Matoshi
⁠Naldi Yzeiraj
⁠Oklid Aliu
⁠Dritan Gjika
⁠Shpëtim Aliu

“SPAK vijon goditjen e rrjeteve të krimit të organizuar të përfshira në aktivitetin e trafikimit të drogës nga Amerika Latine për në Evropë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, të veprimtarisë së pastrimit të parave dhe të pasurive me origjinë kriminale.

Pasuritë me origjinë kriminale dëmtojmë ekonominë e ligjshme, konkurencën e lirë, veprimtarinë ekonomike të bizneseve që punojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndershme.

Ato rrisin forcën ekonomike të krimit të organizuar, përdoren për të financuar veprimtarinë kriminale dhe nuk sjellin asnjë të mirë publike.

Për këtë arsye, pasuritë me origjinë kriminale duhet të sekuestrohen, të konfiskohen, të kalojnë në favor të shtetit dhe të përdoren për qëllime të ligjshme.

SPAK garanton se veprimet e tij synojnë vetëm pasuritë me origjinë kriminale dhe pasuritë që lidhen me veprimtarinë kriminale. Në asnjë rast nuk do të cënohen të drejtat e pronësisë dhe të drejtat e tjera reale të personave fizikë dhe personave juridikë që investojnë në veprimtari ekonomike apo në sipërmarrje private mjete monetare dhe pasuri të fituara në mënyrë ligjshme”, shprehet Braho.