Gjykata e Posaçme ka lënë në burg 10 anëtarët e arrestuar të grupit kriminal Rraja, të akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash.
Në masën “arrest në burg” janë Islam Sefa, Rexhep Rraja (djali i ish-deputetit të PS-së, Rrahman Rraja), Agim Nina, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Zamir Aliaj, Aldo Gjini, Sokol Qaja dhe Jani Çavo. Po ashtu, GJKKO ka vlerësuar të ligjshme arrestimin e Marvin Bushatit dhe ka caktuar ndaj tij masë e sigurimit personal “Arrest në burg”.
Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Në dosjen hetimore, SPAK ka paraqitur 3 episode të trafikimit të drogës që janë zbardhur.
Episodi i parë, i përket datës 3.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Malit të Zi, është sekuestruar sasia prej 1722 kg, bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë.
Episodi i dytë, i përket datës 23.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Holandës, është sekuestruar sasia prej 475 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, e dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen, Holandë.
Episodi i tretë, i përket datës 26.1.2021, gjatë të cilit nga autoritetet të Turqisë, është sekuestruar sasia prej 236 kg bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Turqinë.




