Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot se ka goditur një tjetër grup kriminal, duke identifikuar 10 persona si anëtarë. Mes tyre është edhe Eldi Dizdari alias Denis Matoshi, një prej eksponentëve më të kërkuar nga drejtësia, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Dizdari është i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe nga drejtësia italiane i cilësuar si udhëheqës i grupit kriminal shqiptar (KOMPANIA BELLO), një sindikatë transnacionale e krimit të organizuar e përfshirë në trafik droge dhe operacione kontrabande midis Amerikës së Jugut dhe Evropës me një vlerë prej 350 milion euro.
Ai është arrestuar në vitin 2020 pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane në kuadër të goditjes së grupit “Los Blancos”, të cilët trafikonin kokainë nga Ekuadori në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian, por më pas u lirua. Aktualisht dyshohet se Eldi Dizdari fshihet në Dubai, ndërsa SPAK ka lëshuar ndaj tij urdhër arresti.

