Isa Aliu, vëllai i Salvadore (Shpëtim) Aliut, është një nga personat e përfshirë në hetimin e gjerë të SPAK ndaj një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Sipas dosjes hetimore, Isa Aliu dyshohet se ka pasur një rol të rëndësishëm në qarkullimin dhe investimin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal, përmes bizneseve të lidhura me sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar, përmes komunikimeve të siguruara nga platforma e koduar SKY ECC, biseda mes Salvadore Aliut dhe vëllait të tij, ku përmenden shuma të konsiderueshme parash. Në këto komunikime flitet për rreth 6 milionë euro cash, si edhe për sigurimin e afro 20 milionë eurove të tjera që do të investoheshin në Shqipëri.

Sipas prokurorisë, Salvadore Aliu konsiderohet një nga drejtuesit kryesorë të rrjetit kriminal dhe dyshohet se ka pastruar në vend të paktën 30 milionë euro të ardhura nga trafiku i drogës.

Grupi kriminal dyshohet se ka operuar gjatë viteve 2019-2021 në trafikun ndërkombëtar të kokainës, duke përdorur rrugë që lidhin Amerikën e Jugut me Europën. Sipas hetimeve, rrjeti ka arritur të trafikojë rreth 50 tonë kokainë, ndërsa disa episode janë dokumentuar përmes sekuestrimeve të sasive të mëdha të drogës.

Në kuadër të këtij operacioni, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin preventiv të 491 pasurive, me një vlerë të përllogaritur prej të paktën 150 milionë eurosh, që përfshijnë prona, hotele, vila dhe biznese në disa qytete të Shqipërisë.