“13 shtatori”
Krimet e Rënda: Nuk ndërmori asnjë veprim, u fut poshtë sediljes
Sokol Çobo
Inspektori i krimeve, Kastriot Gosturani, ka qenë i pranishëm vetëm fizikisht në datën 13 shtator, kur para syve iu vra eprori, Adem Tahiraj. Hetimet kanë zbuluar fakte tronditëse, ku Gosturani nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar vrasjen, apo për të arrestuar autorin. Ai ka qëndruar indiferent, megjithëse detyra i përcaktonte se duhet të ndërhynte në këtë konflikt mes Hoxhës, Tahirajt dhe autorit Ilir Xhakja.
Dëshmia e inspektorit ka kontradikta të shumta me dëshmitë e tjera, madje edhe për vendqëndrimin e tij kur ndodhi vrasje. Vetë thotë se ka qenë brenda në automjet, ndërsa personat e tjerë, përfshirë edhe shoferin Fatmir Hoxha, pohojnë se ka qenë jashtë automjetit.
Gosturani u fsheh
Megjithatë, hetimet e deritanishme kanë zbuluar se Kastriot Gosturani është fshehur në momentin që në vendngjarje mbërriti Ilir Xhakja. Sipas informacioneve të deritanishme, Krimet e Rënda kanë përcaktuar se polici me origjinë nga Tropoja, që njihej si një nga miqtë më të ngushtë të Adem Tahirajt, ka qëndruar tërësisht pasiv. Ai ndodhej në një automjet kur Tahiraj dhe Hoxha kanë dalë për të bllokuar automjetin e Ledion Krasnajt, nipit të Ilir Xhakes. Duke e ditur se fshati Katund Sukth ishte problematik dhe duke njohur kriminalitetin e kësaj zone, Gosturani ka qëndruar indiferent, madje nuk është konfrontuar më askënd.
“Veprimet e punonjësit të policisë Kastriot Gosturani kanë qenë tërësisht pasive dhe në kundërshtim me detyrën që kryen. Ai është pajisur, si çdo punonjës policie, me një armë, me të cilën ka të gjithë tagrin ligjor për ta përdorur, në momentin kur vetë ose kolegët e tij, në përmbushje të detyrës, u rrezikohet jeta. Gosturani, përveçse nuk e ka përdorur, është fshehur kur ndodhi ngjarja”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilat saktësojnë se kanë dy versione për vendqëndrimin e tij.
Së pari, ka të dhëna se ai është fshehur poshtë sediljes kur ka ardhur Ilir Xhakja, pasi e njihte edhe më parë këtë person. Versioni i dytë, se është shtrirë poshtë automjetit deri në momentin që Xhakja është larguar nga vendngjarja, kur dhe kishte kryer vrasjen e kryekomisar Adem Tahirajt.
Skena e krimit
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rindërtuar skenën e krimit, ku humbi jetën 49-vjeçari Adem Tahiraj. Sipas burimeve, Xhakja, i vetëm para tre punonjësve të policisë, që detyrimisht duhet të kishin armë në brez, i ka sfiduar. Ka shkuar tek automjeti tip “Audi” dhe ka parë që në vendin e shoferit nuk ishte nipi i tij, Ledion Krasnaj, por Fatmir Hoxha. Tepër i irrituar dhe pa kurrfarë frike, ai e ka qëlluar me pëllëmbë, duke e nxjerrë për një çast jashtë automjetit, ndërsa ka vijuar me sharje dhe fyerje në drejtim të punonjësve të policisë. Ai ka pretenduar se me këtë person ka pasur një mosmarrëveshje.
I vetmi që ka reaguar ka qenë pikërisht viktima, Adem Tahiraj, i cili i është drejtuar me fjalët se “kush je ti”. Si përgjigje ka marrë një ofendim dhe më pas pesë plumba, të cilat e kanë prekur në organet jetësore. Më pas, autori ka lëvizur me shpejtësi në sytë e dy punonjësve të Policisë së Shtetit. Autori është larguar me automjet me nipin, ndërsa dy policët, njëri prej tyre pretendon se i ka rënë të fikët, kanë ngelur në vendngjarje, me eprorin e shtrirë përtokë i gjakosur. Ndërkohë, inspektori i krimeve në Shijak, Kastriot Gosturani, është fshehur, duke i hapur rrugë Xhakes për të qëlluar Tahirajn.
Dyshimet – Ka të dhëna se Gosturani është fshehur poshtë sediljes kur ka ardhur Ilir Xhakja, pasi e njihte edhe më parë këtë person. Versioni i dytë është se është shtrirë poshtë automjetit deri në momentin që Xhakja është larguar nga vendngjarja
Mjekoligjorët – Nga të dhënat e marra, ka rezultuar se në trupin e viktimës kishte shumë plagë të shkaktuara me armë zjarri. Ai ishte goditur pesë herë, ku katër plumba i ka marrë në pjesën e përparme të trupit. Një predhë e ka marrë në momentin që është rrëzuar
Vendngjarja – Krahas raportit mjekoligjor, hetuesit kanë marrë edhe të dhënat nga vendi i ngjarjes. Tri predha plumbi janë gjetur në murin e një parukerie që ishte aty pranë, të ngulura në suva, ndërsa disa të tjera janë gjetur në asfalt
Dosja
Për Gosturanin kërkuam masë në gjykatë, kanë pranuar të dëshmojnë
Krimet e Rënda përplasen me SHKB-në: Ndalimet e policëve janë të paligjshme
Prokuroria – Veprimet e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që arrestuan Fatmir Hoxhën dhe Kastriot Gosturanin, janë të paligjshme
Veprimet – SHKB-ja duhet të kryente veprimet e tyre dhe të merrnin masa administrative, por jo penale, pasi arresti nuk ishte në flagrancë
Gjykata – Ditën që SHKB-ja ndaloi Gosturanin dhe Hoxhën, gjykata vendosi për inspektorin e krimeve arrest me burg në mungesë
Ndalimet e dy punonjësve të Policisë së Shtetit, Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani, janë të paligjshme. Kështu pretendon Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka marrë në dorë hetimet, megjithëse Policia e Shtetit tha se dosja ka kaluar për kompetencë në Prokurorinë e Durrësit.
“Veprimet e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që arrestuan Fatmir Hoxhën dhe Kastriot Gosturanin, janë të paligjshme. Personat në fjalë kanë qenë të gatshëm për të dëshmuar sa herë që i kemi thirrur. Verimet e SHKB-së janë bërë në tejkalim kompetencash, pasi organi i hetimit jemi ne. Ata mund të kryenin veprimet e tyre dhe të merrnin masa administrative, por jo penale, për aq kohë sa veprimet e tyre nuk ishin në flagrancë”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, në masën që do të zhvillohet sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda, do të kërkojmë paligjshmërinë e arrestimit të këtyre personave, megjithëse ata janë nën hetim.
Dëshmitë në prokuroi
Burimet nga akuza qendrore pohojnë se dy punonjësit e Policisë së Shtetit, dëshmitarë okularë të vrasjes së Adem Tahirajt, kanë dhënë shpjegime në prokurori, duke pranuar se nuk kanë verpuar siç duhet për ngjarjen e 13 shtatorit. Mësohet se ata janë paraqitur në godinën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda të paktën dy herë, megjithëse, nga ana tjetër, SHKB-ja i kishte në verifikim e sipër. Duke menduar se organi që nxjerr urdhra ndalimi është akuza, Gosturani dhe Hoxha janë surprizuar kur kolegët e tyre u kanë vënë prangat me urdhër të SHKB-së.
Arrest vetëm për Gosturanin
Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë mbetur të befasuar kur në media kanë mësuar për arrestimin e Hoxhës dhe Gosturanit nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Mësohet se akuza qendrore e cilëson këtë veprim si ndërhyrje në hetime. Megjithatë, burimet pohojnë se kanë kërkuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda vetëm arrestimin e Kastriot Gosturanit. “Ditën që SHKB-ja ndaloi Gosturanin dhe Hoxhën, gjykata vendosi për inspektorin e krimeve arrest me burg në mungesë. Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e këtij personi, pasi mosveprimet e tij para dhe pas ngjarjes kanë lidhje me vrasjen e një punonjësi të Policisë së Shtetit”, pohojnë burimet nga akuza qendrore.
Masa në gjykatë
Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se kanë shfuqizuar një vendim të SHKB-së për dërgimin e çështjes ndaj dy punonjësve të policisë për hetime në Prokurorinë e Durrësit. Pas arrestimit, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Leonard Olli, pohoi se çështja ndaj Hoxhës dhe Gosturanit do të hetohet në Durrës. Megjithatë, një vendim i mëvonshëm i akuzës qendrore, e dërgoi këtë çështje te Krimet e Rënda, pasi shpërdorimi i detyrës ka lidhje me vrasjen e Adem Tahiraj. Sot pritet që Hoxha dhe Gosturani të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë, ndërsa dy prokurorët Eugen Beçi dhe Njazi Seferi mësohet se do të kërkojnë që ndalimi i tyre është i paligjshëm. Burimet konfirmojnë se për Gosturanin do të kërkojnë arrest me burg, ndërsa për Hoxhën ende nuk konfirmojnë se çfarë mase do të kërkojnë. s.çobo
13 shtator – Shefi i Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, është qëlluar me pesë plumba pistolete. Autori është Ilir Xhakja
14 shtator – Në orët e para të kësaj dite, forcat e policisë arrestuan autorin e dyshuar, i cili u vetëdorëzua
17 shtator – Autori del para gjykatës dhe nuk pranon të rrëfejë ngjarjen. Krimet e Rënda vijojnë hetimet
21 shtator – SHKB-ja pohon se ka arrestuar dy policët që shoqëronin kryekomisarin. Krimet e rënda pohojnë se është tejkalim kompetencash