Autoritetet greke kanë zbuluar detaje të reja nga hetimet për ekzekutimin e mafiozit Giorgos Moschouris, atentat i ndodhur në zonën e Halandri.

Në qendër të hetimeve ndodhet një pajisje GPS e fshehur brenda një doreze kirurgjikale, e cila sipas hetuesve mund të përmbajë prova të rëndësishme për aktivitetin e grupit kriminal dhe objektiva të tjerë që dyshohet se ishin planifikuar për t’u eliminuar.

Sipas mediave greke, pajisja ishte fshehur në mënyrë të tillë për të shmangur lënien e gjurmëve të gishtërinjve apo materialeve ADN.

Hetuesit dyshojnë se grupi përdorte metoda të sofistikuara për të shmangur identifikimin. Njëri prej të arrestuarve mbante pesë telefona celularë në “airplane mode”, si dhe dy routerë portativë për të shmangur lokalizimin e sinjaleve telefonike.

Në dosjen hetimore përfshihet edhe një bisedë e përgjuar, ku një prej të dyshuarve dëgjohet duke thënë: “Po, jam vrasës dhe hajdut, kam bërë çdo të keqe”.

Sipas autoriteteve, grupi kriminal ishte nën monitorim prej më shumë se një viti. Analiza e pamjeve filmike, komunikimeve dhe lëvizjeve të tyre çoi në identifikimin e personave që dyshohet se morën pjesë në atentat.

Hetimet tregojnë se autorët kishin hyrë në Greqi nga jashtë vendit dhe përdornin automjete operative, duke ndryshuar vazhdimisht veshjet dhe pamjen për të shmangur zbulimin.

Policia ka rindërtuar itinerarin e tyre që nga mëngjesi i ditës së atentatit. Një nga automjetet u identifikua fillimisht në zonat e Haidari, Egaleo dhe Aspropirgos.

Më pas, dy automjetet e përdorura nga grupi u filmuan në pikën e pagesës së Metamorfosis, ku pagesa u krye cash për të shmangur gjurmët bankare.

Sipas rindërtimit të policisë, autorët mbërritën pranë klinikës private në Halandri rreth orës 14:00, pak para ekzekutimit të “Thamnakia”. Pas atentatit, automjetet u dogjën dhe autorët u larguan nga vendi.

Për çështjen janë arrestuar katër persona, mes tyre dy shtetas me origjinë shqiptare, Dhionis Kokoni dhe një person me mbiemrin Jupe, si edhe dy shtetas grekë, Dhimitris Aleksopoulos dhe Aleksandros Petropoulos.

Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e atentatit.