Për uljen e krimit të rrugës në Tiranë, policia ka bllokuar mbi 500 motorë pa dokumente
Dy grabitje të tjera me dhunë janë shënuar gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet, duke shtuar edhe më shumë krimin e rrugës, e duke sjellë pasiguri te qytetarët. Policia ka mundur të arrestojë autorin e dyshuar të njërës prej tyre, ndërkohë që për tjetrën nuk ka asnjë të dhënë mbi agresorët. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se ngjarjet kanë ndodhur në dy zona të ndryshme të kryeqytetit, pikërisht në rrugën “Myslym Shyri” dhe te tregu i ish-Uzinës Dinamo. Sipas të dhënave policore, për rastin e parë mësohet se nga seksioni kundër vjedhjeve me dhunë dhe armë u arrestua shtetasi Ted Spahiu, 19 vjeç, banues në Tiranë. Burimet policore shpjeguan se rreth orës 09.30, në rrugën “Myslym Shyri”, te një dyqan celularësh i ka vjedhur me dhunë shitëses Malvina Sami Serjani, 26 vjeçe, një aparat celular “Nokia E71”, i cili u bllokua në cilësinë e provës materiale. Rasti i dytë, te tregu i ish-Uzinës, ka ndodhur pak pas mesnate. Nga grupi hetimor mësohet se Lulzim Karafili, 24 vjeç, banues në Korçë, ka qenë duke ecur në këmbë, kur përpara i kanë dalë dy persona. Nën kërcënimin e thikës dhe duke e dhunuar me grushte, ata kanë mundur t’i marrin 100 mijë lekë 24-vjeçarit. Menjëherë, pas ngjarjes, ata mendohet se janë larguar me një motor. Policia tha se për këtë ngjarje ka shoqëruar disa persona, por ende nuk ka një të dyshuar konkret. Nga ana tjetër mësohet se rreth 500 motorë janë bllokuar në aksionin e policisë që pasoi tentativën e grabitjes me pasojë vrasjen e Fatbardha Tafës, në afërsi të lulishtes tek ish-Fusha e Aviacionit. Motorët janë bllokuar kryesisht për mungesë të dokumentacioneve, targave dhe mjeteve të tjera identifikuese. Sipas policisë, shkak për aksionin u bë përdorimi i motorëve për grabitjet në rrugë, si dhe për t’u larguar nga vendngjarja në rastet e krimeve të rënda. Në aksionin për bllokimin e motorëve që lëvizin pa dokumentacionin përkatës morën pjesë gjashtë komisariatet e Tiranës dhe shërbimet e Policisë Rrugore. Sipas specialistëve të policisë, aksioni ka dhënë rezultatet e para që në fund të gushtit dhe në ditët e para të shtatorit.
Hetimet
Për rastin e vjedhjes me dhunë në dyqan, policia ka arrestuar një person të dyshuar