Prokuroria ka çuar për gjykim 9 persona të akuzuar si autorë të disa supergrabitjeve të bankave.


Janë të paktën tre grabitje të cilat bënë bujë, ku më e rënda u regjistrua në makinën që transferonte para në aeroportin e Rinasit.


Organi i akuzës ka çuar për gjykim Admir Nikajn (Murataj), Dash Kupa, Ernest Kupa, Neim Avdulaj, D. M, A.Ç, Fatjon Xhyliu, Dritan Sinani dhe Aleksandër Murataj.


Po ashtu, prokuroria ka zbardhur edhe skemën e grabitjeve.


Episodi i parë i vjedhjes, grabitja ne Qafë Kashar. Mekanizmi i ngjarjes rezulton të ketë qenë i tillë që: mjeteve të shoqërisë private të ruajtjes dhe sigurisë u është prerë rruga nga një automjet i llojit foristradë, i cili është futur nga kryqëzimi i rrugës së fshatit Domje-Laknas në rrugën kryesore, ku në atë moment po kalonin mjetet me sasinë e të hollave.


Si rezultat i veprimit të autorëve mbi mjetin e blinduar duke e goditur me automjetin e tyre, dhe duke qëlluar me armë për të kanosur punonjësit e shoqërimit të këtij mjeti, kanë arritur të vjedhin të gjithë sasinë e vlerës monetare që po transportohej.


Nga shpjegimet e dhëna nga punonjësit e bankës dhe aktet e sekuestruara rezulton se shuma objekt vjedhje përbëhej nga GPB-1.800.000, USD-800.000, AUD 200.000, CAD-200.000.


Episodi i dytë i vjedhjes, grabitja ne Rinas: Pasi makinat e blinduara janë futur në rrugën e Rinasit, në mes të makinave të blinduara është futur një automjet fuoristradë, i cili fillimisht i ka bllokuar rrugën makinës shoqëruese dhe më pas ka dalë mbrapa saj.


Në këtë kohë nga një rrugë dytësore ka dalë një automjet tjetër, fuoristradë, i cili e ka goditur makinën e blinduar duke e ndaluar atë.


Në këtë moment nga ky automjet kanë dalë disa persona të maskuar dhe armatosur, të cilët kanë qëlluar në drejtim të makinës së blinduar. Në të njejtën kohë nga dy persona të armatosur është sulmuar edhe makina e shoqërimit të automjetit të blinduar.


Nga automjeti fuoristradë që ka përplasur makinën e blinduar kanë dalë dy persona, të cilët mbanin në duar çekiç (varre) dhe kanë goditur xhamin e parë të makinës.


Pasi nuk është bërë e mundur thyerja e xhamit, autorët kanë goditur xhamin e derës së shoferit, duke e thyer atë dhe më pas nën kërcënimin e armëve kanë zbritur në tokë dy punonjësit e SHPSF-së dhe kanë filluar që të kërkojnë çelësat e kasafortës.


Në të njëjtën kohë dy nga autorët e tjerë kanë arritur të neutralizojnë tre punonjësit e tjerë të SHPSF-së që ndodheshin në makinën shoqëruese. Pasi autorët nuk kanë arritur të gjejnë çelësin e kasafortës, me anë të një guri fresibël, të cilin e kishin në makinën e tyre, kanë thyer kasafortën dukë marrë nga aty 8 (tetë) thasë me vlera monetare dhe më pas janë larguar në drejtim të urës së Sharkës, në zonën e Vorës.


Aty, kanë braktisur makinat dhe ju kanë vënë flakën automjetit tip Jeep Gran Sheroke dhe tip Chevrolet dhe janë larguar në drejtim të paditur me një makinë të tretë.


Nga deklarimet e dhëna nga punonjësit e bankës shuma e cila është dërguar për shitje jashtë shtetit, dhe që ishte e vendosur në tetë thasët brenda në furgonin e transportit për në Rinas ka rezultuar të jetë: 2.4 (dy pikë katër) milion Euro, 200.000 (dyqindmijë) Dollarë amerikanë, 260.000 (dyqind e gjashtë dhjetë mijë) paund britanikë etj.


Episodi i tretë i vjedhjes, grabitja tek Stacioni i Trenit: Në vendin e quajtur tek ish “Stacioni i Trenit” pikërisht pranë bulevardit “Zogu i Parë” është vjedhur nën kërcënimin e armëve nga tre persona të maskuar banka “…’, ndërkohë që punonjësi i bankës dhe një nga punonjësit e sigurisë të SH.R.S.F-se “…”, po nxirrnin nga tuneli i kësaj banke një shumë të konsiderueshme parash për transportimin e tyre në drejtim të aeroportit të Rinasit.


Nga materiali hetimor rezulton se shuma objekt vjedhje përbëhej nga 900.000 (nëntëqind mijë) franga zviceriane, 800.000 (tetëqind mijë) Paund Britanik si dhe 16.100 (gjashtëmbëdhjetë mijë e 100) Euro.


Sipas akteve hetimore të grumbulluara për këtë ngjarje kriminale, rezulton se autorët e vjedhjes në momentin që kanë braktisur automjetin e SHRSF …., të marrë në vendngjarje e kanë braktisur atë dhe janë parë duke u futur në një automjet të llojit tip minifurgon me ngjyrë të bardhë, i cili është fiksuar nga kamerat e subjekteve tregtare që ndodhen në itinerarin e rrugës që kanë përshkruar edhe autorët e ngjarjes pas vjedhjes së bankës ….. Automjeti i dyshuar në ngjarjen e datës 13.02.2015 është i llojit monovolum; ngjyrë të bardhë; i dyshuar i tipit “Peugeot Partner”, tip i vjetër, me disqe të thjeshta, pa xhama anësore.


Ky automjet është i ngjashëm me automjetin që rezulton i fiksuar edhe në ngjarjet e datave 03.12.2015 dhe  09.02.2017 të hyjë në shtëpinë e të pandehurit organizator Admir Nikaj, në fshatin Prezë, ka karakteristika pothuajse të njëjta me karakteristikat e automjetit të dyshuar ne ngjarjen e datës 13.02.2015.


Tashmë do të jetë gjykata e cila do të shqyrtojë provat e Prokurorisë, për të dhënë dënimin e të akuzuarve.


30 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)