Nga dhuna vdes Pandeli Magllara, ndërsa bashkëshortja e tij, në gjendje të rëndë
Ngjarja tragjike ndodhi në fshatin Vodhino të Dropullit të Sipërm, i banuar nga minoriteti grek
Engjëll Serjani
Grabitjet janë kthyer frikshëm në Gjirokastër, ku dy persona kanë masakruar një çift të moshuar, që jetonte vetëm dhe për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tyre, burri ka vdekur, ndërsa bashkëshortja e tij ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak orë pas mesnatës, në fshatin Vodhimo, i banuar nga popullsi që i përket minoritetit grek të Komunës Dropull i Sipërm. Dy bashkëshortët e moshuar, që jetonin vetëm në banesën e tyre, pasi pjesëtarët e tjerë të familjes kanë emigruar në Greqi, janë përleshur me grabitësit që kishin hyrë në banesë për të vjedhur, por përplasja e tyre ka qenë fatale, pasi burri ka humbur jetën, ndërkohë që gruaja është plagosur rëndë dhe ndodhet në reanimacionin e spitalit rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër. Dy dhunuesit e bashkëshortëve Pandeli dhe Evanth Magllara, përkatësisht 78 dhe 70 vjeç, nuk janë identifikuar ende nga policia, pavarësisht se ka dyshime që ata janë nga Tepelena.
Ngjarja tragjike
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ngjarja ka ndodhur pak para orës 03.00 të mëngjesit të djeshëm, pasi rreth kësaj ore në sallën operative të Policisë së Gjirokastrës ka mbërritur njoftimi me telefon nga një banor i fshatit Vodhinë, një nga 17 fshatrat e krahinës së Dropullit të Sipërm. Telefonuesi njoftoi se në fshat ka ndodhur një vjedhje me dhunë e banesës së familjes Magllara dhe se i zoti i banesës ka humbur jetën. Pas njoftimit, në drejtim të vendngjarjes janë nisur dhjetëra forca policie dhe grupi hetimor i drejtuar nga vetë drejtori i policisë së qarkut, Ajet Ibro. Në vendin e ngjarjes, ata kanë konstatuar se dy grabitësit, pasi kanë shqyer hekurat e dritares së banjës në katin e dytë të banesës së shtetasit Pandeli Magllara, rreth 78 vjeç, kanë hyrë në banesë për të vjedhur. Në momentin që janë gjendur brenda banesës dhe kanë nisur të kontrollojnë, lëvizjet e tyre janë dëgjuar nga i zoti i banesës, Pandeli Magllara, i cili ishte duke shkuar në tualet. “Në momentin që i zoti i banesës ka shkuar në tualet, është ndeshur me dy shtetasit që ishin futur nga dritarja, të cilët i kanë përplasur kokën në lavaman dhe për pasojë ai ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë. Në vazhdim të komunikatës policia nënvizon se, bashkëshortja e tij, Evanthia Magllara, kur ka dëgjuar zhurmë, ka shkuar menjëherë në katin e dytë të banesës, por edhe ajo është goditur me sende të forta në kokë. Më pas, dy grabitësit e kanë lidhur dhe i kanë zënë gojën me plastmas që të mos bërtiste. Pas izolimit të saj, dy grabitësit kanë kontrolluar pothuajse krejt dhomat e banesës për lekë, por policia nuk është e sigurt dhe e qartë nëse ata kanë vjedhur lekë apo jo, pasi Evanthia është transportuar për në spitalin e Gjirokastrës për të marrë ndihmë mjekësore dhe nuk është bërë e mundur pyetja e saj për rrethanat e ngjarjes. Sipas policisë, rreth një orë pas ngjarjes, gruaja e plagosur rëndë ka mundur të përmendet dhe të kërkojë ndihmë, duke bërtitur me zë të lartë, kështu që fqinjët e kanë dëgjuar dhe kanë mbërritur në banesë, ku i kanë ofruar ndihmën të moshuarës dhe kanë njoftuar policinë. Policia tha se ende nuk ka mundur të marrë në pyetje të plagosurën, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, ndërkohë që dëshmia e saj mund të ndihmojë në dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje kriminale.
Prononcimi
Kirurgu: Gruaja ka shumë
dëmtime, por jashtë rrezikut
Pas mbërritjes në repartin e kirurgjisë të Spitalit Rajonal të Gjirokastrës, e plagosura Evanthi Magllara, e ndodhur në një gjendje të rëndë për shkak të goditjeve të forta në kokë dhe në trup i është nënshtruar një ndërhyrjeje të vështirë mjekësore në sallën e operacioneve dhe më pas është mbajtur në reanimacion. Mjeku kirurg, Arben Kurro, tha për gazetën “Shqip” se gjendja shëndetësore e gruas së plagosur është e rëndë, pasi sipas tij, nga goditjet ka pësuar fraktura edhe në kafkë, por gjithsesi, pas operacionit, gjendja paraqitet pak më e mirë dhe jashtë rrezikut për jetën. Deri në qetësimin e plotë të pacientes së goditur dhe dhunuar rëndë me sende të forta, mjekët nuk kanë lejuar ekspertët dhe hetuesit e krimit që ta marrin në pyetje. Sipas mjekëve, ajo duhet të përmirësohet dhe të qetësohet para se të pyetet për krimin.
Rrëfimet
Motra e viktimës rrëfen momentet kur u përball me trupin e gjakosur të vëllait 78-vjeçar
Banorët: Dyshojmë te dy të rinj
nga Tepelena, kanë punuar në fshat
Motra e viktimës së djeshme, Stavrulla Guça, ka rrëfyer përmes dënesave momentet e tmerrit që përjetoi kur hyri në shtëpi dhe e gjeti vëllain e vdekur, të mbuluar nga gjaku. Dhimbjes së familjes i bashkohen edhe banorët e zonës, të cilët kanë dhënë ndihmën e parë për të plagosurën dhe rrëfejnë momentet e krimit, duke hedhur dyshime mbi dy të rinj nga Tepelena, të cilët kishin punuar në këtë zonë. “Nuk e kisha menduar këtë tmerr kur më thirrën komshinjtë. Mendova se mund të ishte sëmurë gruaja e vëllait. Por, nuk më shkonte në mendje se kishin sulmuar shtëpinë e vëllait, duke e vrarë atë”, shprehet motra e viktimës, e cila kërkon gjetjen e autorëve të këtij krimi të rëndë. Para shtëpisë së dhunuar dhe grabitur të dy të moshuarve janë grumbulluar të afërm të viktimave, bashkëfshatarë dhe shumë banorë të fshatrave përreth. Ngjarja tragjike ka shkaktuar trishtim, zemërim dhe panik në këtë zonë të largët në fshatrat e së cilës, për shkak të emigracionit të madh jetojnë të vetmuar dhjetëra të moshuar. Sipas një të moshuari V. Koça, fqinj me viktimat, grabitësit, të cilët kanë hyrë nga dritarja e tualetit, duke larguar hekurat e dritareve me anë të levave, kanë qenë njerëz që e njihnin terrenin e fshatit, banesës dhe familjen që sulmuan. “Ata janë përleshur me të zotin e shtëpisë, një plak 78-vjeçar, e kanë goditur dhe përplasur derisa ai ka gjetur vdekjen, prandaj të gjithë në fshat dyshojnë për dy persona nga Tepelena, që kanë punuar para disa kohësh në këtë zonë si punëtorë krahu”, thotë ai. Sipas banorëve, dëshmitarët e parë në vendngjarje ishin fqinjët dhe një mbesë e të moshuarës Evanthi, e cila jeton pranë banesës së familjes Magllara. Sipas dëshmive të tyre, situata në banesën e familjes Magllara ka qenë tronditëse. Dëshmitarët thonë se në oborrin e shtëpisë janë gjetur disa gjurmë të lëna në vendngjarje nga autorët e krimit, si qese plastike, litarë dhe leva hekuri. Sipas tyre, grabitësit kanë vepruar për disa minuta brenda banesës, ndërkohë që ata kanë dëmtuar fillimisht telefonat dhe më pas janë larguar, duke i mbyllur në shtëpi dy të moshuarit. “Pamja ishte e frikshme, jemi tronditur shumë. Dëgjuam ulërima në mes të natës dhe nuk po orientoheshim se nga ku po vinin. Mbërritëm me shpejtësi te porta e shtëpisë, në fillim mbesa e tyre që banon këtu afër, pastaj unë. Nuk dinim nga të hynim, sepse grabitësit kishin mbyllur dyert. Hapëm me forcë portën dhe e gjetëm Vanthon mes gjakut, duke bërtitur, të shtrirë përtokë. Pando shtrirë në anën tjetër i vdekur. Njoftuam policinë dhe spitalin”, thotë 67-vjeçarja E. Koça. Sipas banorëve të fshatit, ka pasur edhe raste të tjetra të grabitjes dhe vjedhjes së banesave në fshatrat e kësaj zone, që përshkohet vazhdimisht nga emigrantët, pasi ndodhet shumë pranë kufirit me Greqinë, por kjo cilësohet prej tyre si ngjarja më e rëndë e ndodhur gjatë viteve të fundit.
Hetimet
Ngrihen disa postblloqe, kontrollohen pesë banesa
Policia: Tetë të shoqëruar
nga Tepelena dhe Libohova
Në lidhje me vrasjen për grabitje, drejtori i policisë së qarkut ka thirrur menjëherë në takim të gjithë efektivët e sektorëve të luftës kundër krimit dhe në Komisariatin e Gjirokastrës, ndërkohë që janë ngritur menjëherë tre postblloqe policie. Forca të tjera janë hedhur në terren dhe për orë të tëra, gjatë gjithë ditës është bërë krehja e zonës përreth fshatit, duke përdorur mjete logjistike tradicionale dhe moderne, si qen të ndjekjes së gjurmëve, kamera dhe dylbi. Një grup i sektorit të luftës kundër krimeve të rënda ka ndërmarrë pesë operacione kontrolli në banesat e personave të dyshuar ne Tepelenë dhe Libohovë. Mësohet se janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë tetë të dyshuar, nga të cilët katër janë nga Libohova dhe katër të tjerë janë nga qyteti i Tepelenës. Burime konfidenciale të policisë bënë të ditur se numri i të shoqëruarve është rritur mjaft gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme. Me gjithë mobilizimin e madh dhe deklarimin e policisë se mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative dhe deklarimeve të vetë banorëve të fshatit është bërë i mundur ngushtimi i rrethit të të dyshuarve te dy shtetas nga Tepelena, që kanë punuar dhe kanë qarkulluar në këtë zonë para ngjarjes, duket se policia për shkak të mungesës së informacionit nga viktimat është ende larg zbardhjes së ngjarjes dhe kapjes së autorëve. Në ndihmë të grupit hetimor të Drejtorisë së Policisë në Gjirokastër, me urdhër të zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Agron Kuliçaj, janë nisur në drejtim të vendngjarjes një grup ekspertësh të zbulimit të krimeve të rënda nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, të cilët në bashkëpunim të ngushtë edhe me Prokurorinë e Gjirokastrës vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin me prova ligjore të autorësisë së saj.
