Hetimet për supergrabitjen. Në laborator edhe 2 makinat e gjetura në liqenin e Shkopetit
Nga këqyrja e kamerave që ndodhen në objekte të ndryshme, në segmentet rrugore pranë Aeroportit të Rinasit, është zbuluar një furgon që dyshohet se është përdorur nga grabitësit. Gjithashtu, nga burimet e policisë mësohet se në makinën tip “Benz” që u gjet i djegur pranë fshatit Bërxull, ndodhej edhe një varre. Më herët, ekspertët kanë gjetur edhe një paruke, prej së cilës janë marrë disa fije floku, që janë dërguar për analizim në Laboratorin Shkencor. Nga dyshimet e hetuesve del hipoteza se ky furgon është larguar në një rrugë dytësore paralele me linjën Rinas – Qafë-Kashar, për të ndaluar më pas pranë kthesës së Bërxullit. Më tej furgoni ka lëvizur në drejtim të Laknasit, për t’u futur në zonën e Kamzës dhe më pas nuk ka asnjë informacion rreth destinacionit të radhës. Nga ekspertët e grupit hetimor dyshohet se këtë furgon, grabitësit e kanë përdorur pas djegies së mjetit tip “Benz” me të cilin u krye grabitja. Gjithashtu, dyshimet e grupit hetimor janë se grabitësit mund të kenë përdorur më shumë se një mjet për t’i shpëtuar gjurmimit të policisë, ndaj dhe kanë nisur verifikimet edhe për dy makinat e gjetura në ujërat e liqenit të Shkopetit. Grupi hetimor i policisë së Durrësit dhe prokurori Florian Bonjaku, kanë parë nga afër veprimet për nxjerrjen e dy automjeteve “Mercedez – Benz”, të mbytur në liqenin e Shkopetit. Një nga këto automjete dyshohet se është mbytur qëllimisht në liqenin e Shkopetit, gjatë mbrëmjes së të hënës. Për makinat e gjetura në liqen, policia tha se mjeti tip “Benz”, me targa të verdha, pra taksi, është vjedhur në Kolonjë të Lushnjës. Pronari i mjetit, shtetasi me inicialet N.A, kishte bërë denoncim më 14 shkurt të këtij viti. Sakaq, në cilësinë e provës materiale, grupi hetimor ka gjetur në makinë e djegur një vare si dhe një shishe me benzinë. Nga grupi hetimor, paraprakisht dyshohet se vareja do përdorej për të goditur blindin nëse nuk do të ishte i hapur. Më tej, mësohet se gjetja e varesë në automjet ngre dyshimet se është i njëjti grup që ka realizuar edhe grabitjen e 3.8 milionë eurove në Kashar, në muajin dhjetorin të vitit të kaluar. Vareja, në atë kohë kishte shërbyer për të thyer blindin teksa grabitësit nën kërcënimin e armëve mundën të merrnin paratë. Për sa u përket hetimeve rreth autorëve të supergrabitjes, deri më tani në sitën e policisë kanë kaluar të paktën 50 persona. Edhe vëllai i Durim Bamit, Valteri, ishte një ndër 50 personat që janë shoqëruar në lidhje me grabitjen spektakolare të Rinasit, por është lënë sërish i lirë. Ndërkaq, në total numri i personave të shoqëruar ka shkuar në mbi 50 vetë. Ndër të pyeturit janë një grup prej 7 personash nga zona e Niklës mes të cilëve edhe vëllai i Durim Bamit, Valter Bami, 30 vjeç, nga fshati Zezë, i Niklës në Fushë-Krujë. Pasi është pyetur e ripyetur prej hetuesve në Durrës e Krujë, ai është lënë i lirë, pasi alibia e dhënë prej tij ishte e besueshme dhe e plotë. Mes të dyshuarve, banorë të Mamurrasit dhe Fushë-Krujës apo Laçit, ndodheshin edhe persona të dënuar më parë për grabitje me armë dhe vjedhje apo që janë hetuar për të njëjtat vepra penale. Por nga deklarimet paraprake të këtyre personave, gjatë marrjes së tyre në pyetje, nuk është arritur të mësohet asnjë e dhënë rreth autorëve.