Pas më shumë se një muaji kërkimesh, policia ka arrestuar në Tiranë 29-vjeçarin Fatjon Bruçi, i cili akuzohet për tentativën e grabitjes me armë të një argjendarie në Shkodër.
Ngjarja ndodhi më 29 gusht 2025, kur i dyshuari, i maskuar me skafandër dhe i armatosur, u fut në një argjendari duke i drejtuar armën pronarit, por pa mundur të realizonte grabitjen. Ai ishte shpallur në kërkim që prej asaj dite dhe konsiderohet me rrezikshmëri të lartë shoqërore, për shkak të implikimit të tij në disa veprimtari kriminale.
Policia njofton se Bruçi është lokalizuar dhe arrestuar në një banesë me qira në lagjen “5 Maji” në Tiranë, ku edhe fshihej. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, janë sekuestruar: një armë zjarri pistoletë, dy maska silikoni, municion luftarak, pajisje për grirjen e lëndës narkotike, si dhe 550 dollarë të falsifikuar.
Në momentin e arrestimit, Bruçi ndodhej në një automjet së bashku me Xhonatan Deliun dhe Enri Elezin, të cilët janë vënë në pranga për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ndihmonin në fshehjen dhe lëvizjen e tij.
Ndaj 29-vjeçarit, Gjykata e Shkodrës kishte caktuar më herët masën e sigurisë “Arrest në burg”, për akuzat: “Vjedhja me armë, mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Hetimet e policisë vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin kriminal të Bruçit dhe lidhjet e tij të mundshme me ngjarje të tjera.
Në kuadër të operacionit “Identikiti”, shërbimet e DFPO-së, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, dhe të Komisariatit të Policisë nr 4, Tiranë, bazuar në informacionet e marra, kapën në lagjen “5 Maji”, Tiranë, duke lëvizur me një automjet tip “Audi”, dhe vunë në pranga shtetasit F. B. alias F. B., 29 vjeç, Xh. D., 21 vjeç dhe E. E., 19 vjeç.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi F. B. alias F. B. u vu në pranga sepse Gjykata e Shkodrës më datë 30.09.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas është autor i tentativës për të vjedhur në një argjendari, në lagjen “Vasil Shanto”, ku hyri më datë 29.08.2025, i armatosur dhe i maskuar me skafandër motomjeti.
Gjatë kontrollit fizik në momentin e arrestimit, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën që kishte marrë me qira, në Tiranë, u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, 2 maska, municion luftarak, 3 pajisje për grirjen e lëndës narkotike, 550 dollarë (kartëmonedha false), shumë lekësh dhe aksesorë, të cilat u sekuestruan së bashku me 2 automjete dhe me 1 celular.
Ndërkaq, në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. D. dhe E. E., për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi ishin pasagjerë në automjetin e të kërkuarit, në momentin e ndalimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.