Policia e Tiranës: Fatjon Demiri dhe Gentjan Hasanaj grabitën me armë në Kamzë


Silvana Muça


KamezDy persona, të konsideruar të rrezikshëm nga policia për komunitetin e Kamzës, janë arrestuar nga policia. Ata dyshohet se kryenin grabitje me armë dhe grupi i tyre ishte konsoliduar me kalimin e viteve. Në pranga ka rënë edhe Fatjon Demiri, i njohur me pseudonimin “Tatuazhi” dhe Gentjan Hasanaj, respektivisht 23 dhe 24 vjeç, të dy me origjinë nga Bulqiza. Sipas burimeve zyrtare nga policia, tre muaj më parë, të arrestuarit, nën kërcënimin e një arme zjarri, tip pistoletë, kanë vjedhur me dhunë E.Canën. Mësohet se të rinjtë e kanë gjetur personin në fjalë të vetëm në momentin e grabitjes. “Sapo ata janë ndeshur më Canën, në qendër të Kamzës, në rrugën ‘Albanët’, nën kërcënimin e pistoletës, i kanë kërkuar paratë që ai kishte me vetë”, pohojnë burimet policore.


Sipas tyre, “viktima” u ka thënë që nuk ka para, ndërsa agresorët nuk janë bindur, por kanë këmbëngulur, duke i bërë sërish të njëjtën kërkesë, pasi në të kundërt do ta vrisnin. Madje ndaj tij është ushtruar edhe dhunë fizike. Në një situatë të tillë, Cana ka dorëzuar të gjitha paratë që ka pasur me vete. Ndër të tjera ata i kanë vjedhur edhe motorin që ai lëvizte në Kamzë.


Pas grabitjes, në një gjendje të rëndë psikologjike, ai është drejtuar në Komisariatin nr.5, për të bërë denoncimin. Në mënyrë kronologjike, i dëmtuari ka treguar gjithçka kishte ngjarë atë natë. Në mjegullnajë ai ka përshkruar para hetuesve, tiparet e grabitësve. Në dëshminë e dhënë, Cana është shprehur se nuk ka arritur që t’i njohë grabitësit dhe se nuk kishte asnjë dyshim ndaj personave që e kishin sulmuar. Ndër të tjera, ai ka thënë se nuk dyshonte tek asnjë person dhe se nuk kishte vënë re asgjë të dyshimtë para grabitjes. Në momentin që është sulmuar, e ka parë veten të papërgatitur.


Në sajë të dëshmisë së dhënë nga Cana në polici dhe provave të tjera materiale, grupi hetimor ka nisur verifikimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të grabitjes me dhunë dhe me armë zjarri. Pas tre muaj kërkimesh, në kuadër të operacionit të koduar “Tatuazhi”, policia bëri të mundur arrestimin e personave të dyshuar për këtë ngjarje. “Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë, një automatik model – 56, me 63 copë fishekë. Ndër të tjera, të rinjve iu janë sekuestruar një thikë, çanta me litar, doreza, kapuç, e të tjera sende që kanë shërbyer për realizimin e veprës penale. Mësohet se policia po punon për dokumentimin e aktivitetit kriminal të të arrestuarve”, pohojnë burimet policore. Sipas tyre, dyshohet se ky nuk është rasti i vetëm që të rinjtë kanë kryer grabitje me dhunë dhe armë zjarri. Personi i njohur me pseudonimin “Tatuazhi”, njihet në zonën e Kamzës, për veprat të dyshimta kriminale, kryesisht vjedhje dhe grabitje. Ndaj të arrestuarve, është ngritur akuza e veprës penale “vjedhje me armë” të kryer në bashkëpunim.