Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Gold”, duke identifikuar, kapur dhe arrestuar një prej personave të dyshuar për vjedhjen e një sasie bizhuterish në një argjendari në Kamëz, më 5 gusht 2026.
Në pranga ka rënë Argys Kalsi 35 vjeç, banues në Laç, i cili dyshohet se ka kryer vjedhjen në bashkëpunim me një person tjetër, ende të paidentifikuar. Pas grabitjes, dyshohet se autorët janë larguar me një motomjet.
Operacioni është zhvilluar pas disa javësh hetimesh intensive dhe veprimesh proaktive nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Gjatë hetimeve, më 6 gusht, në një zonë të pyllëzuar në fshatin Zgafnur, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatike, një krehër me fishekë, një skafandër motoçiklete të lyer gri, dy maska silikoni, një palë doreza dhe veshje të tjera që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.
Ndërkohë, më 9 gusht, në zonën e quajtur “Liqeni i Qinamit”, në fshatin Qinam, u gjet dhe u sekuestrua edhe motomjeti që dyshohet se është përdorur nga autorët pas grabitjes.
Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, si dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Vjedhja me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
