Fier
Gjendet makina dhe maskat e tre grabitësve të argjendarisë në pronësi të Maksi Gjergjit në qytetin e Fierit, që u vodh nën kërcënimin e armëve pak ditë më parë. Burime të gazetës kanë pohuar se autovetura me të cilën dyshohet se është kryer largimi i grabitësve nga vendngjarja, është gjetur e braktisur në fshatin Vadhizë të Rrethit të Fierit. Duket se autorët nuk janë kujdesur aq sa duhet për planin e grabitjes, por janë larguar duke lënë në makinë edhe maskat që kanë përdorur. Por, policia nuk ka arritur të gjejë armët e zjarrit që ata përdorën për të kryer grabitjen e një sasie të konsiderueshme bizhuterish të florinjta. Ndërkaq, nga hetimet e deritanishme është arritur të konkludohet në emrat e autorëve të dyshuar të kësaj vjedhjeje me armë dhe po punohet për sigurimin e provave ndaj tyre, shtojnë burimet. Mësohet se autorët, pasi kanë braktisur mjetin e tyre, janë larguar në këmbë me qëllim që të humbitnin gjurmët. Mesditën e së shtunës së javës së kaluar u grabit nën kërcënimin e armëve të zjarrit një argjendari në mes të qytetit të Fierit. Autorët dhunuan pronarin e argjendarisë, duke e lënduar me qytë automatiku në fytyrë dhe pasi morën një sasi të konsiderueshme bizhuterish të florinjta u larguan në drejtim të paditur. E.H.