Grabitja e argjendarisë më të madhe në qytetin e Elbasanit nuk ka rezultuar shumë e suksesshme për autorët, pasi nga aty kanë arritur të marrin jo më shumë se 100 gramë florinj me vlerë 4 milionë lekë të vjetra dhe kryesisht varëse, pasi rënia e alarmit ka bërë që ata të largohen me shpejtësi. Sipas të dhënave të para nga ana e policisë janë marrë si prova materiale gjurmë, pamje filmike dhe dëshmia e argjendarit. Nga verifikimi i filmimeve mësohet se nuk mund të shërbejnë pasi cilësia e tyre është jo shumë profesionale. Ndërkohë, nga ndërtimi i skemës së grabitjes, burime të policisë konfirmuan se autorët janë dy persona të moshës së re, ndoshta edhe me një pistoletë lodër që bën zhurmë kur qëllojnë. Pronari i argjendarisë, i gjendur nën tytën e kësaj pistolete, ka nxjerrë vetëm një sasi varësesh floriri dhe në këtë moment ka rënë alarmi i argjendarisë. Të trembur autorët e grabitjes janë larguar menjëherë duke zgjedhur errësirën e rrugicave pas pallatit ku ndodhet argjendaria. Drejtoria e Policisë bën të ditur se janë shoqëruar shumë persona dhe brenda një kohe të shkurtër do të arrihet tek autorët që sipas të dhënave të hetimit nuk konsiderohen profesionistë, por spontanë në veprimet e tyre, gjë që e bën edhe më të lehtë punën për kapjen e tyre.