Krahasimi i gjurmëve papilare vendos fatin e një prej të ndaluarve


Krahasimi i gjurmëve të gishtave të një prej autorëve të grabitjes së argjendarisë “Ilija” mesditën e 5 korrikut në qendër të qytetit të Fierit të gjetura në banak, me gjurmët papilare të 20-vjeçarit Armando Mita, pritet të vendosë fatin e këtij të fundit. Nga burime të policisë mësohet se gjurmët e 20-vjeçarit Mita i janë përcjellë laboratorit kriminalistik, që do të kryejë krahasimin me ato të gjetura në vendngjarje. Nga këqyrja e pamjeve filmike të videos ku paraqiten dy grabitësit e maskuar, policia ka ngritur dyshimet se personi që ka qëndruar jashtë banakut dhe që ka lënë gjurmët aty, të ketë qenë 20-vjeçari Mita, i cili duket qartë se është me fizik më të bëshëm se i ndaluari tjetër, 21-vjeçari Ardit Fejzullai. Ndërkaq, burimet e bluve shtojnë se dy të ndaluarit si autorë të dyshuar të grabitjes spektakolare rreth një muaj e gjysmë më parë në mes të ditës, në qendër të qytetit të Fierit, nuk kanë pranuar të jenë ata autorë të vjedhjes me armë të rreth 2 kilogramëve bizhuteri të florinjta, duke e lënë të mjegullt fatin e kësaj pasurie. Madje, hetuesit kanë hasur vështirësi të gjejnë vendndodhjen e sasisë së konsiderueshme të floririt që kap vlerën e rreth 80 mijë dollarëve. Hetimet dhe survejimet e deritanishme të policisë nuk kanë arritur të nxjerrin në dritë vendin ku janë fshehur bizhuteritë. Ndërkaq, mësohet se janë ngritur dyshimet se autorët nuk e kanë shitur sasinë e floririt të vjedhur me qëllim që të mos diktoheshin. Por, edhe pse dy grabitësit e dyshuar arritën që brenda 24 sekondave të zbrazin katër tabaka me rreth 2 kilogramë bizhuteri, nuk kanë mundur të jenë të qetë në ndarjen e tyre. Rreth 19 ditë më parë, një prej të ndaluarve, 21-vjeçari Ardit Fejzullai u plagos me armë zjarri, ndërsa autori i ngjarjes nuk është arritur të identifikohet. Vetë 21-vjeçari Fejzullai pohoi atëherë para hetuesve se nuk kishte arritur ta njihte agresorin. Ngjarja ndodhi në fshatin e vendlindjes së tij, në Peshtan të Vogël të Rrethit të Fierit. Nga hetimet që policia kreu rreth motiveve të kësaj plagosje dhe për identifikimin e autorit, u ngritën dyshimet se Fejzullai mund të ishte i implikuar në grabitjen e argjendarisë “Ilija”. Dyshohet se plagosja e Fejzullait të ketë ardhur pas mosmarrëveshjeve mes grabitësve për ndarjen e sasisë së bizhuterive. Pas disa javësh hetime, policia pretendon se ka siguruar prova të pakundërshtueshme ndaj dy të ndaluarve lidhur me autorësinë e tyre në grabitjen me armë zjarri të argjendarisë në fjalë. Kështu, burimet pohojnë se janë kryer hetime speciale dhe survejime për disa javë ndaj të dyshuarit kryesor, Ardit Fejzullai. Dy autorët kanë lënë në vendngjarje prova të cilat u administruan nga policia. Një prej autorëve la gjurmët e gishtave të tij në banakun e argjendarisë, ndërsa tjetrit i ranë syzet në dysheme para se të largohej. Ndërkaq, gjatë një seance njohje të kryer nga policia, një prej dëshmitarëve në vendngjarje mësohet të ketë pohuar se dy të ndaluarit kanë fizik të ngjashëm me dy autorët e vjedhjes me armë. Grabitja e argjendarisë “Ilija” në qendër të qytetit të Fierit ndodhi paraditen e 5 korrikut, rreth orës 11:00. E.Hoxhaj


80 mijë USD


Hetuesit kanë hasur vështirësi të gjejnë vendndodhjen e sasisë së konsiderueshme të floririt, që kap vlerën e rreth 80 mijë dollarëve