Një 33-vjeçar shqiptar ka rënë në pranga në Spanjë, i akuzuar për një grabitje spektakolare.

Ngjarja ka ndodhur në një qendër tregtare në Madrid, më 28 prill, ditën kur gadishulli iberik dhe një pjesë e Evropës perëndimore u përball me një “blackout” energjitik. Duke shfrytëzuar mungesën e energjisë elektrike, shqiptari arriti të vidhte 2200 bizhuteri me vlerë mbi një milion euro.

Sipas ‘El Mundo’, hajduti hyri në çatinë e qendrës tregtare dhe bëri disa prerje në çatinë e asfaltit direkt mbi dyqanin e bizhuterive. Prej andej, ai hoqi panelet e gipsit derisa arriti në një shteg shërbimi, që lidhte dyqane të ndryshme.

Pasi krijoi më shumë vrima, arriti të hynte në dhomën e pasme të dyqanit, ku qëndroi i fshehur derisa një ndërprerje e energjisë i lejoi liri lëvizjeje. I armatosur vetëm me një kaçavidë, ai hapi vitrinat një nga një pa i thyer ato dhe mori gjithçka brenda, përfshirë bizhuteri ari të bardhë dhe diamantesh. Alarmet ishin të çaktivizuara nga mugnesa e energjisë elektike dhe kjo ia lehtësoi më shumë punën.

Hetimet fillestare identifikuan automjetin që i dyshuari përdori për të arritur në qendrën tregtare, një makinë e përdorur që ai e braktisi një ditë pas grabitjes përpara se të largohej jashtë vendit. Hetimi zbuloi se i dyshuari lëvizte shpesh brenda dhe jashtë Spanjës, duke përdorur gjithmonë identitete të ndryshme për të shmangur zbulimin. Më në fund, më 22 tetor, ai u gjet përsëri në Spanjë dhe u arrestua për vjedhje me thyerje.

Në kohën e arrestimit të tij, ai mbante me vete gati 3,000 euro në para të gatshme, origjinën e të cilave nuk mund ta shpjegonte dhe një nga bizhuteritë e vjedhura i varej rreth qafës si trofe.

Ky detaj konfirmoi përfundimisht përfshirjen e tij në një grabitje që, duke përfituar nga një ndërprerje e paprecedentë e energjisë elektrike në Madrid, ekspozoi cënueshmërinë ekstreme të infrastrukturës tregtare ndaj bandave kriminale të huaja shumë të specializuara.