Tiranë
Agresorët marrin 6 milionë lekë, të ardhurat e familjes Elezi për shtëpi në kryeqytet
Ka parë një person të armatosur me një thikë në dorë dhe e tmerruar është larguar me shpejtësi
Rreth 6 milionë lekë të reja janë grabitur në një apartament, në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Ato kanë qenë në pronësi të familjes së minatorit, Hysen Elezi, i cili ka gjetur vdekjen në 2007-n, në minierat e Bulqizës. Mësohet se agresorët kanë mundur të hyjnë nëpërmjet derës kryesore, duke prishur bravën e apartamentit. Duket se grabitësit kanë ndjekur të gjitha lëvizjet e familjarëve dhe gjatë kohës që në shtëpi nuk ka pasur njeri, kanë hyrë brenda, për të marrë shumën e konsiderueshme të parave, me të cilën familja Elezi do të blinte një apartament të ri në Tiranë. E vetmja që ka parë grabitësit, ka qenë vajza e vogël e familjes. Në momentin që sheh bravën e prishur, në mënyrë instiktive shikon në brendësi të apartamentit. Ajo thotë se ka parë një person të armatosur me një thikë në dorë dhe e tmerruar është larguar me shpejtësi. Sipas vogëlushes, grabitësi ka dëgjuar zhurmën e hapave dhe ka dalë jashtë derës, për të parë së ç’kishte ngjarë, por fatmirësisht ajo është larguar me ashensor, duke pritur për disa minuta jashtë cepit të pallatit. Në këtë momente është shfaqur edhe një person i dytë, të cilën vajza nuk ka arritur që ta identifikoje, sepse është larguar duke ulur kokën. Nuk ka mundur që të identifikojë asnjërin prej grabitësve. Zonja e shtëpisë, Afërdita Elezi, kërkon arrestimin e autorëve dhe kthimin e parave.
Gjendja ekonomike e saj është shumë e dobët. Ata kanë pak kohë që kanë ardhur nga Bulqiza, në Tiranë, për një jetë më të mirë. Me paratë e dhuruara nga qeveria dhe kompania, në të cilën bashkëshorti i saj humbi jetën aksidentalisht në minierë, do të blinte një apartament të ri. Tashmë ka mbetur në mes të katër rrugëve dhe pa asnjë të ardhur financiare. Vëllai i Afërditës, Zenel Kurti, dyshon se personat që grabitën paratë në banesë kanë njohje me familjen Elezi, duke mos përmendur asnjë emër. Në apartament janë gjetur shenja gishtërinjsh, të cilët do të ndihmojnë në gjetjen e autorëve. Ndërkaq, policia thotë se ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes dhe deri më tani janë shoqëruar 10 persona, të cilët dyshohet se kanë lidhje me grabitjen. Ata janë në pritje të përgjigjes së dalë nga laboratori i policisë shkencore. S.M.