Deputetet e opozitës i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare Presidentit të Republikës, kërkesë e cila ka për qëllim rikthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për barazinë gjinore. Në kërkesën e tyre, ato theksojnë se ky ligj është antikushtetues dhe kërkojnë që të shqyrtohet sërish, duke argumentuar se ai dëmton parimet dhe vlerat që ndodhen në themel të Kushtetutës së Shqipërisë.

Në kërkesën drejtuar Presidentit, deputetet e opozitës evidentojnë se ligji ka shkelur disa dispozita të Kushtetutës, duke përfshirë aspekte që lidhen me të drejtat e njeriut dhe liritë individuale, si dhe duke mos marrë parasysh disa interesa të grupeve dhe komuniteteve të caktuara. Ato e konsiderojnë këtë ligj një hap të pamenduar, i cili mund të ndikojë në strukturat shoqërore dhe kulturore të vendit, duke e çuar në përplasje me traditat dhe besimet fetare.

“Ju kërkojmë që të paktën një herë të vetme gjatë ushtrimit të detyrës tuaj si President i Republikës, të ngriheni në lartësinë e detyrës, të ndaloni përçarjen, deformimin, denatyrimin, dhe të ndiqni edhe këshillat e komuniteteve fetare, për të ruajtur traditën shqiptare se asnjë rregull në shoqërinë tonë nuk mund të imponohet në kundërshti me përfaqësuesit e komuniteteve fetare. Për të gjitha sa më lart, Të riktheni për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për barazinë gjinore”, sipas kompetencës që ju njeh Kushtetuta në nenin 85 të saj.” – thuhet në kërkesë.

“KËRKOJMË: Të riktheni për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për barazinë gjinore”, sipas kompetencës që ju njeh Kushtetuta në nenin 85 të saj”, shprehen deputetet e opozitës.