“Fiks Fare”


Vetëm kontrolle e rekomandime, asnjë masë konkrete


Gratë e strehuara në qendrën pritëse të trajtimit të viktimave të dhunës në familje në Tiranë ndihen çdo ditë të kërcënuara nga dhunuesit e tyre, ndërkohë që drejtoresha e kësaj qendre dhe Shërbimi Social Shtetëror nuk marrin asnjë masë për të siguruar jetën e tyre jashtë mureve të qendrës. Hyjrie Bruka, një nga gratë e strehuara në këtë qendër, nënë e katër fëmijëve, iu drejtua emisionit “Fiks Fare” për të treguar dhunën psikologjike që ndien ajo bashkë me fëmijët e saj në këtë qendër. “Krevati i fëmijëve është prishur dhe ata flenë në tokë”, tregon zonja Bruka, e cila me dëshirën e saj pranoi të mos e fshehë identitetin e saj, pasi dhunuesi i saj e di ku jeton dhe në çdo moment ndihet e rrezikuar sa herë që është e detyruar të dalë jashtë qendrës për të shoqëruar fëmijët në shkollë, apo për të shkuar në gjykatë, ku duhet të sigurojë urdhrin e mbrojtjes. Kjo zonjë është njëra nga gratë e strehuara në Qendrën Kombëtare të Viktimave të Dhunës në Familje, e cila gjatë intervistave të realizuara nga emisioni “Fiks Fare” në ambientet e kësaj qendre ka treguar se si ish-bashkëshorti i kishte nxjerrë syrin kur ajo kishte qenë duke shoqëruar fëmijët në shkollë. Ngjarja ka ndodhur dy muaj më parë. Dje ajo solli në redaksinë e “Fiks Fare” fotografitë që tregonin shenjat e plagëve të shkaktuara nga goditjet me thikë nga dhunuesi i saj. Syrin e majtë e ka humbur. Jeton me frikë bashkë me fëmijët në atë qendër, ku nuk i sigurohet as jeta e saj dhe as ajo e fëmijëve. Ajo kërkon me këmbëngulje që një nga institucionet nga varet kjo qendër të reagojë, pasi jeta e grave të strehuara brenda saj nuk ka ndryshuar, edhe pse në qendër kanë vajtur disa herë grupe inspektimi nga Ministria e Punës dhe Avokati i Popullit. Përveç heqjes së dënimeve të vakteve të ushqimit, asgjë tjetër nuk ka ndryshuar në qendër, tregon ajo. Automjeti i kësaj qendre, i vendosur për të qenë në shërbim të grave nga Shërbimi Social Shtetëror, qëndron i parkuar në oborrin e saj, por asnjëherë nuk është vënë në përdorim për banoret e qendrës, për të shkuar në gjykatë, apo për të çuar fëmijët e tyre në shkollë. Fëmijët e këtyre grave vazhdojnë të shkojnë vetë në shkollë të shoqëruar nga sanitarja e qendrës ose nga nënat e tyre. Asnjë polic apo punonjës sigurie nuk i shoqëron këta fëmijë. “Gratë vazhdojnë të dhunohen psikologjikisht nga drejtoresha”, tregoi për “Fiks Fare”, znj. Hyjrie Bruka, njëra prej viktimave të strehuara në qendër. Zonja tregoi se ka pasur një debat me drejtoreshën ditën e premte, pasi nga qendra ishin larguar tre punonjëset e Ministrisë së Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Zonja pretendon se drejtoresha e qendrës, zonja Dodona Kaloshi, ka treguar agresivitet ndaj grave, pasi këto të fundit kanë treguar për punonjëset e MPCSSHB dhunën psikologjike të ushtruar nga drejtoresha. Zonja ka treguar se pas denoncimeve që ka bërë “Fiks Fare” për dhunën e drejtoreshës Kaloshi ndaj grave në qendër kanë ardhur grupe pune nga Avokati i Popullit dhe MPCSSHB, të cilët kanë rimarrë edhe një herë të njëjtat prononcime nga gratë, por edhe pse u është premtuar se do të merren masa deri tani gjendja është e njëjtë. Ndërkohë, disa ditë më parë ka reaguar edhe Organizata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, “Amnesty International”, që ka kërkuar shkarkimin e drejtoreshës së kësaj qendre. “Rekomandojmë shkarkimin e drejtoreshës së qendrës dhe marrjen e masave për mbrojtjen e viktimave. Qendra është krijuar me fonde kombëtare dhe abuzimet e zbuluara nxjerrin në pah nevojën për monitorimin e qendrave publike”, ka reaguar AI, që i referohet një rekomandimi të mëparshëm të Avokatit të Popullit. Organizata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të ndërmarrë masa të menjëhershme për të siguruar mbrojtjen e viktimave të dhunës.


 


NDIHMA


Pas denoncimit në “Fiks Fare”, Fondi Besa ka vendosur t’u vijë në ndihmë grave të dhunuara, duke u dhuruar një sasi ushqimesh dhe një shume parash për të paguar qiranë


Propozimet e Avokatit të Popullit


1. Shkarkimin nga detyra të zj. D.K., duke zgjidhur menjëherë kontratën e punës, për shkaqe të justifikuara në bazë të nenit 153 të K. Punës.


2. Marrjen e masave për riorganizimin e stafit dhe shtimin në organikë si shumë të nevojshëm dhe domosdoshëm të një juristi dhe një psikologeje.


3. Marrjen e masave për ruajtjen dhe shoqërimin me njerëz të specializuar, me mjetin e institucionit të grave dhe fëmijëve kur ato dalin jashtë qendrës.


4. Trajnimin e vazhdueshëm të stafit në lidhje me trajtimin dhe komunikimin që ato duhet të kenë me gratë dhe fëmijët e strehuar në këtë qendër.


5. Hartimin e një rregulloreje të brendshme, shumë të nevojshme ku të përcaktohen qartë të drejtat dhe detyrimet e stafit dhe grave të strehuara, rregulla të cilat të mos bien ndesh me Kushtetutën dhe liritë themelore të njeriut.


6. Detyrimin e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, për nxjerrjen e udhëzimit për zbatimin e standardeve sipas VKM nr. 505, dt. 13.07. 2011.


7. Përmirësimin për trajtimin ushqimor konform kuotave me shumëllojshmërinë e produkteve stinore.


8. Verifikimin e mungesës fizike të zj. L.C., (e panjohur fare nga stafi dhe personat e strehuar) dhe nxjerrjen e përgjegjësive për një abuzim të tillë me postin e punës.