Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka kërkuar interpelancë me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala për të dhënë sqarime për problematikat në spitalet shqiptare, duke u ndalur në Lushnje, zona nga ai vjen. Në Kuvend, Korreshi ironizoi duke thënë se në Europë nuk futesh nëse në spitale mungojnë produktet elementare.

Sipas tij, në maternitetin e Lushnjes dhe në pediatri nuk ka ashensor, ndërsa nuk funksionojnë as aparaturat e nevojshme.

“E keni numrin e telefonit ti thërrisni njëherë asaj ministres së Shëndetësisë?! Se vërtet ka ikur Europë ajo dhe na kishte nxjerrë video nga Europa, por dua t’i them që nuk shkohet në Europë pa pambuk, jod dhe doreza nëpër spitalet shqiptare. Nuk hyhet në Europë kur nuk punon mamografia në Lushnje. Nuk hyhet në Europë kur nuk eko në Lushnje për të bërë ekzaminime gjatë lindjeve. Po i çojmë në Fier dhe po na dalin lushnjarët të gjithë fierakë. Nuk hyhet në Europë kur grafia del si foto pa blic. Nuk ka ashensor për tu ngjitur në kat të tretë në maternitet dhe gratë lindin shkallëve. Nuk ka ashensor te pediatria, ku urgjenca është në kat të katër, burrë e grua e bëjnë me radhë nga dy kate se japin shpirt rrugës”, deklaroi Korreshi.