Shtrëngimi i masave kundër virusit “COVID-19” në Greqi, ka sjellë vështirësi në përparimin e hetimeve, lidhur me ngjarjen kriminale të 30 dhjetorit 2011, ku mbeti i vrarë biznesmeni Ilir Rexhepi.

Një letërporosi e dërguar nga pala shqiptare, tek autoritet e drejtësisë helene, ku shfaqej kërkesa e prokurorëve shqiptarë për të marë në pyetje, Mihal alias Mirgen Toshin, është refuzuar nga Ministria e Drejtësisë Greke.

Në një kthim përgjigje, autoritet greke refuzojnë të presin prokurorët shqiptare dhe të asistojnë së bashku me ta, në procesin e marjes në pyetje të Mihal Toshit.

Sipas grekëve, masat e mara nga autoritetet shëndetësore në Greqi, kundër virusit “COVID-19” nuk i mundësojnë prokurorëve shqiptare vizitën në shtetin helen.

Por në përgjigjen e tyre, grekët lenë të hapur mundësinë e marjen në pyetje të Mihal Toshit, sapo të realizohet lehtësimi i lëvizjes mes dy shteteve.

Prokuroria e Elbasanit, ka shfaqur interes për të dëgjuar dëshminë e korçarit Mihal alias Mirgen Toshit, i cili është zbuluar nga një gjurmë gjaku, në vrasjen e biznesmenit Ilir Rexhepi.

Toshi, momentalisht po vuan dënimin me 16 vite burg në Selanik nën akuzën e trafikut të drogës. Profili i AND-së i dërguar nga Greqia është krahasuar me materialet e gjetura në Shqipëri, në tre ngjarje kriminale të rënda të ndodhura në Elbasan.

Në sitë janë vënë të dhënat e grumbulluara në vrasjen e Ardian Ibrahimit, kunatit të ish-oficerit të rrugores së Elbasanit, Fadil Mema, i mbetur i vrarë në 28 maj 2006 në Elbasan.

Po kështu krahasim është bërë dhe për vrasjen e Roland Rexhepit, ose “Doda”, i vrarë në Elbasan në 22 korrik 2009. Për të dyja këto ngjarje nuk është përftuar asnjë rezultat nga analizimi i ADN-së.

 Por gjatë krahasimit të gjakut të gjendur në vendin ku u vra, Ilir Rexhepi, biologët e policisë shkencore konstatuan se profilet e ADN-së gjak-pështymë, kishin ngjashmëri të plotë.

Kaq ka mjaftuar që prokuroria dhe policia e Elbasanit, tashmë të përqendrojnë fokusin e tyre tek korçari, Mihal alias, Mirgen Toshi.

Ky i fundit ndodhet në burg në Greqi dhe pa kryer dënimin në shtetin helen, nuk mund të ekstradohet në Shqipëri dhe të japë shpjegime lidhur me ngjarjen.

Mihal Toshi, është vëllai i Damiano Toshit, i cili është dënuar nga gjykata e Elbasanit me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy basketbollistëve të “Skëndërbeut” në Korçë, Sokol Jahollarin dhe Rafael Rizan, si dhe plagosjen e Julian Beckës./ ORA NEWS