Parashikimi
Ministrat e Financës së Eurozonës hapën bisedimet me Athinën për të lëshuar këstin e radhës së ndihmës financiare, ndërkohë që masat e reja shtrënguese që ky vend duhet të zbatojë parashikohet të shkaktojnë një valë të re krize vitin e ardhshëm, njofton “Reuters”.
Greqia duhet të ulë shpenzimet apo të rrisë taksat për rreth 13.5 miliardë eurosh për të kënaqur kreditorët e vet dhe për të tërhequr ndihmën financiare, pa të cilën mund të mos shlyejë dot detyrimet e veta.
Ministrat e Eurozonës, ndërkohë, morën një lajm tjetër të keq, kur qeveria e Greqisë njoftoi se parashikimet e reja të saj për vitin e ardhshëm flasin për përkeqësim të mëtejshëm të situatës. Viti 2013 mund të jetë i gjashti vit radhazi me rënie ekonomike në këtë vend. Athina parashikon rënie të PBB-së me 4.5 për qind, gjë që do të rrisë stokun e saj të borxhit në raport me PBB-në në 189 për qind.