Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Athinë, për të takuar shqiptarët e Greqisë.

Rama iu drejtuar të rinjve se duhet ta respektojnë kryqin e bardhë në flamurin e Greqisë si vendi që i ka ‘adoptuar’ por shtoi se nuk duhet të harrojnë shqiponjën e Shqipërisë. Po ashtu, Rama u tha emigrantëve se me pasaportën e BE, do të ulen në çdo tryezë të Evropës përgjithmonë si shqiponja.

“Sot ju i duheni vendit më 11 maj për të realizuar atë që është detyrimi i fundit që çdo prind në të gjithë botën jashtë kufijve të Shqipërisë i ka fëmijëve të vet, që t’u japë pasaportën europiane dhe t’u thotë mësoje gjuhën greke, kulturën, mësoi të gjitha gjuhët e Evropës, por nuk ke nevojë të ndryshosh atë që je dhe që e ke të shkruar në pasaportën tënde që je shqiptar.

Duke u bashkuar me Edi Ramën dhe PS ke mundësi të shkon në çdo vend të Evropës dhe të respektohesh si Europian mes europianëve. Greqia është vendi që keni punuar, por nuk ka nevojë që shqiponjën ta ndërroni, apo ta harroni. Me pasaportën Europiane të shqiptarëve, ju do të uleni në çdo tryezë të Europës si Shqiponja. Në të gjitha tryezat ku mblidhet Evropa, përfaqësuesit e shteteve janë poshtë, ashtu do të jetë përfaqësuesi i shqipes dhe do të flasë shqip dhe të gjithë të tjerët vënë kufjet për të dëgjuar se çfarë thotë shqiptari”, tha Rama.