Parlamenti miraton kursimet e reja, ndërsa ekonomia vijon të bjerë
Në Greqi, ajo që ndodhi natën e së mërkurës duke u gdhirë e enjte përmblidhet thjesht: Parlamenti miratoi me shumicë të thjeshtë ulje të mëtejshme pagash. Kjo do të thotë se një këst i ri i ndihmës ndërkombëtare do të lëvrohet dhe Athina e shmangu edhe një herë falimentin.
Kryeministri Antonis Samaras deklaroi se një buzëqeshje në fytyrat e grekëve nuk do të ishte e keqe pas kësaj, por ka shumë arsye për të mos qenë të lumtur.
Greqia po ecën drejt vitit të gjashtë radhazi të recesionit. Masat e reja, të cilat do të ulin më tej pagat publike dhe pensionet, do ta dobësojnë edhe më tej vendin. Dhe nëse e shkuara jep ndonjë leksion, atëherë leksioni është që koalicioni aktual qeveritar po dobësohet dhe zbatimi i masave të reja të miratuara do të jetë i vështirë.
Një nga deputetët i bëri thirrje popullit “të mos i binden qeverisë”. Protestat dhe grevat pritet të vijojnë, ndërkohë që niveli aktual i borxhit publik është i papërballueshëm. Borxhi pritet të arrijë në 190 për qind të PBB-së vitin e ardhshëm si pasojë e rënies së mëtejshme të PBB-së, ndërkohë që ndërkombëtarët besojnë se është e mundur që deri në vitin 2020, borxhi të ulet në 120 për qind të PBB-së.
Ekspertët ndërkombëtarë thonë se është pothuajse e sigurt që Greqia do të ketë nevojë për një raund të ri faljesh borxhesh, gjë që do të testojë edhe një herë taksapaguesit gjermanë. Megjithatë, masat e djeshme blenë edhe ca kohë. Ndoshta, thonë disa analistë, Gjermania do të ndryshojë mendim pas zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen vitin e ardhshëm dhe se këmbëngulja e Merkel për masa kursimi vjen si pasojë e matjes së shanseve të partisë së saj në zgjedhje.
Greqia ka parë reduktim të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 23 për qind gjatë viteve të fundit.