Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur sot një konferencë për shtyp, ku ka lënë të hapur çdo mundësi për zhvillime të forta politike në shtator, përfshirë edhe grevën e urisë, një skenar që është përfolur gjerësisht së fundmi.
Berisha deklaroi se është i gatshëm të udhëheqë me shembullin e tij personal për të rikthyer votën e lirë për qytetarët shqiptarë.
“Jam i gatshëm të udhëheq deri në fitore. Me shembullin personal t’u rikthej shqiptarëve votën e lirë. Nuk përjashtojmë asnjë variant,” u shpreh ai.
Në deklaratat e tij, Berisha përsëriti akuzat ndaj Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar zgjedhjet si një farsë dhe jo një proces demokratik.
“Mund të them sot atë që kam thënë shumë herë më parë: me Ramën nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira. Kjo nuk është diçka e re, e kam thënë dhe e them me bindjen më të madhe. Ka krijuar një shtet elektoral dhe zhvillon farsë elektorale. Në Durrës janë 15 mijë vota të krimit,” deklaroi Berisha.
Ai la të kuptohet se opozita do të ketë një qasje më të ashpër në muajt e ardhshëm, duke kërkuar rikthimin e demokracisë dhe të zgjedhjeve të ndershme në vend.
