Autorja dhe moderatorja e “Top Story”, Grida Duma, ka komentuar zhvillimet dhe debatet e fundit brenda Partisë Socialiste gjatë një interviste në emisionin “Breaking” në Top News.

Duke folur për tensionet dhe qëndrimet kritike që janë shfaqur brenda kampit socialist, përfshirë deklaratat e bëra nga Elisa Spiropali dhe Erion Braçe, Duma u ndal veçanërisht te kritikat e ish-ministres së Shtetit.

Sipas saj, qëndrimet e Spiropalit lidhen më shumë me një narrativë të brendshme politike sesa me shqetësime reale ideologjike brenda Partisë Socialiste, duke e vënë theksin te mënyra se si artikulohen debatet publike dhe ato të brendshme.

“Asgjë s’po ndodh në PS, përveç asaj që Edi Rama do që ne të besojmë se po ndodh ndonjë gjë. Nuk ka ndodhi në PS, sepse çdo ndodhi fillon dhe mbaron me fuqinë që ke në dorë. Ata që prodhojnë ngjarje, janë ata që kanë administratë të madhe të ndërtuar nga vetë ata. Ky nuk është rasti Spiropali. Rasti Spiropali është i shkëputur nga grupi, është i shkëputur nga mjetet e pushtetit. Elisa Spiropali është par ekselencë, për të bërë sikur ka shqetësime të mëdha ideologjike brenda PS”, thotë Duma.

Sipas saj “Brenda PS ka shqetësime intrigash. Janë grupe të fuqizuara në 13 vite pushtet, që brenda lëmit të PS, janë ndërtuar të vetvetë dhe brenda PS janë intriga të brendshme për më shumë akses te Edi Rama. Si jashtë, ashtu edhe brenda PS, për një gjë kanë gjithmonë të kujdesshëm, të thonë që nuk e ka Edi Rama fajin. Nëse do të flitej për pakënaqësi të individëve të tjerë që kanë pasur fuqi ose që kanë fuqi në PS, do të flisnim për situata të tjera”.

“Këtu e kemi të qartë që kemi të bëjmë me një teatër, që po ja servir shqiptarëve si një i gjithëpushtetshëm. Këto konflikte i ka marioneta dhe ja jep këtu popullit sikur erërat po ndryshojnë, por nuk ndryshon asgjë. Askush nuk po e kontrollon dhe nuk e kërcënon Edi Ramën nga brenda. Shqetësimi im për Shqipërinë dhe për zhbalancat në PS janë të mëdha se në PD”.

E pyetur për tezat që ka ngritur deputeti Braçe, Duma ka një tjetër këndvështrim. “Braçe e ka ndërtuar profilin e tij, është aftësia e tij politike. Braçe e di shumë mirë kush është vija e kuqe. Rama e lejon Braçen të ekzistojë dhe e ka alibi atë për të thënë: ‘Doni të thoni gjëra? Ja ku e kam Braçen’. Pushteti që ka PS me Ramën është një pushtet që do kërkonte kontroll si nga Brenda dhe nga jashtë”, shprehet Grida Duma.