Arben Cërriku, babai i 15-vjeçares që tentoi vetëvrasje në Sarandë duke u hedhur nga kati i 4 ka folur për mediat.

Në rrëfimin e tij, Ai shprehet se e bija bullizohet prej kohësh nga bashkëmoshatarët dhe kjo i kishte rënduar gjendjen e saj emocionale. Ai shprehet i zhgënjyer edhe nga stafi i mësuesve, duke shtuar se do e heqë vajzën nga shkolla pasi në këtë mënyrë vetëm po dëmtohet.

“Vajza vjen dje nga shkolla, rreth orës 13:30. I thotë të vëllait: Nesti, një vajzë dhe një shok në klasë më ofendon dhe më thotë; je e shpifur. Vëlla i tha; mos u mërzit se do ta zgjidhim. Vajza u shtri në krevat dopio dhe ish-gruaja po bisedonte me një mësuese. Për hatër të fëmijëve, u bashkuam dhe ishim të gjithë bashkë. Dje kishim dhe ditëlindjen e djalit të vogël, mbush 12 vjeç.

Në një moment gruaja dëgjon një zhurmë dhe më thotë; O Ben, shiko pak se çfarë ishte. I thash; nuk ka gjë. Ajo del në ballkon dhe sheh vajzën shtrirë. Ulëriti. Dalim të gjithë jashtë. U mblodhën të gjithë dhe e çuam në spital. Erdhi ambulanca dhe e çuam në spital. Për momentin këtu u përmend. Nuk është hera e parë që vajza vjen e ndrojtur, dhe e frikësuar nga shokët dhe shoqet. Tani është në gjimnaz, por e njëjta gjë i ndodhte dhe në 9-vjeçare. Ne bisedonim me të, e nxirrja. E shihja se kohët e fundit ishte më keq.

Nuk ka shoqe, vetëm një vajzë në lagje ka dalë. Edhe djalin e vogël e bullizojnë, nuk shkon në shkollë. Unë kam 20 vite në Sarandë. Si këtu nuk më ka ndodhur ndonjëherë. Mendoj se do ta heq fare vajzën nga shkolla. Mësuesja është një prind i dytë për fëmijën tim. Ajo sot u hodh nga ballkoni, nesër mund të shkojë të mbytet në det. Duhet ta ruaj 24/7. Jam i papunë, punoj në të zezë. Gruaja punon nëpër shtëpi, pastruese. Jam prej 20 vitesh me qira.”, tha babai i adoleshentes.