Durrës


Bujar Dedej e qëlloi Limen me paramendim, kur e kishte zënë gjumi


Një histori dhune që u mbyll me një krim. Gruaja që u vra natën e së premtes në lagjen nr. 8 të qytetit bregdetar kishte një urdhër mbrojtjeje të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, ndërsa në Qendrën e Këshillimit për Gra dhe Vajza pohojnë se viktima nuk ishte drejtuar aty për ndihmë, as për t’u mbështetur për divorcin siç bëjnë gra të dhunuara dhe në pamundësi për të përballuar, për shkak të problematikës që kanë, as procedurën e divorcit, e cila kushton jo pak. Burime policore bëjnë të ditur se Bujar Dedej, babai i 4 fëmijëve nga dy martesa të ndryshme dhe i divorcuar nuk e ka kryer krimin në gjaknxehtësi e sipër, por i qetë, pak javë pas divorcit me të shoqen, Limen 41-vjeçare. Dedej është kthyer në shtëpi rreth orës 18:30 dhe duket se ka planifikuar ndërkohë krimin. Ka debatuar me të shoqen dhe e ka lënë me kaq, po kur gruan e ka zënë gjumi e ka goditur me një çekiç, duke i shkaktuar vdekjen nga plagët e shkaktuara. Gruaja ka qenë e pamundur të reagojë pas goditjes së parë, ndërkohë që përveç denoncimit të rastit të dhunës, që u shoqërua dhe me urdhër mbrojtjeje të lëshuar për viktimën, në polici janë raportuar edhe raste të tjera të dhunës fizike në familjen Dedej, dhunë e cila çoi në ndarjen e çiftit, por jo në shmangien e saj dhe as të tragjedisë që pasoi, pasi çifti jetonte nën një çati të një shtëpie të varfër dhe burri vazhdonte të xhelozonte dhe pretendonte se e shoqja e tradhtonte. Ndërkohë fqinjët tregojnë se viktima as guxonte të dilte në rrugë prej autorit. Shtëpia tashmë ka mbyllur dyert me gruan mbyllur në dhé dhe burrin në qelitë e paraburgimit. Dy fëmijët, nxënës të fillores, janë marrë nga të afërmit përkohësisht. Më pas do të jetë gjykata që do të përcaktojë kujdestarinë ligjore ndaj tyre.


V.Q.