Detaje të reja janë zbardhur nga rasti i rëndë i zbuluar në Greqi, ku një 63-vjeçare raportohet se ka fshehur vdekjen e nënës së saj, me qëllim që t’i merrte pensionin.

Sipas mediave vendase, policia ka ngritur dyshimet se gruaja mund ta ketë vrarë nënën e saj dy vite më parë dhe më pas trupin e ka varrosur në oborrin e shtëpisë, për të fshehur gjurmët.

Deri më tani, 62-vjeçarja ka deklaruar vetëm se nëna e saj vdiq nga shkaqe patologjike pa përshkrim, ndërsa dha vetëm emrin e bashkëpunëtorit. Ky i fundit është një shtetas shqiptar, i cili raportohet se e ka ndihmuar atë që të varrosë trupin. Shqiptari është shpallur në kërkim, pasi ende nuk dihet se ku ndodhet.

Ndërkohë, avokati i 63-vjeçares greke ka thënë se ajo e fshehu vdekjen e të  ëmës për shkak të gjendjes së rëndë financiare dhe borxheve të shumtë që kishte.

E gjithë ngjarja u zbulua pasi gruaja mori një tjetër grua për ta prezantuar si nënën e saj, kur punonjësit socialë i shkuan në shtëpi. Gruaja e moshuar u ngatërrua dhe dha emrin e vërtetë, duke zbuluar se e gjitha ishte mashtrim.